Thank you USA

Secilit popull i takon liria, por bota qeveriset me shumë pak mëshirë sipas – G.F. Williams, dhe Kosova ishte me fat në këtë drejtim, falë përkrahjes para së gjithash nga SHBA.

Kjo përkrahje ka qenë permanente në rrugëtimin e Kosovës për tu bërë shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarësh. Sfidat janë të brendshme – po aq sa janë ndërkombëtare. Zhvillimet e brendshme politike janë të lidhura ngushtë me paraqitjen e shteteve në arenën ndërkombëtare dhe kam përshtypjen se përballjet e fundit pozitë – opozitë në Kosovë sollën edhe mos-suksesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke harxhuar energji në vend të fokusimit dhe angazhimit në lidhje me lobimin për tu anëtarësuar në këtë organizatë prestigjioze. Përballje që nuk u mjaftua me kaq, por vazhdoi edhe me pengimin e funksionimit normal të institucioneve, dhe sidomos Kuvendit. Në këtë rast u vendos interesi politik, partiak, përpara interesit shtetëror.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në Kosovë, trajtoi shqetësime pikërisht lidhur me funksionimin e brendshëm dhe raportin me shtetet fqinje. Kjo vizitë përçoi dy porosi më të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimet politike në Kosovë dhe tensionet pozitë-opozitë: Luftën ndaj korrupsionit dhe se Kuvendi është institucioni ku palët duhet të debatojnë.

E para është përgjegjësi si politike ashtu edhe morale e institucioneve të Kosovës në raport me shtet formimin që është proces shumë delikat, prandaj duhet treguar seriozitet në këtë aspekt, që për fat të keq nuk duket se ka rezultuar kështu në këto vite të pavarësisë. Në këtë konotacion u takon liderëve të partive politike që ta luftojnë këtë fenomen, me qëllim të mëkëmbjes institucionale dhe mundësimin e zhvillimit ekonomik.

Është e turpshme që korrupsioni të përmendet si element që e pengon konsolidimin e Kosovës si shtet në një moment kur udhëhiqet nga politikanë shqiptar, moment për të cilin u desh një angazhim dhe një përballje politike e shteteve më me ndikim, që si përfundim solli pavarësinë e Kosovës.

E dyta, sa i takon debatit në Kuvend që paraqet Tempullin e demokracisë, dhe që kohën e fundit eskaloi edhe në dhunë dhe krijoi situata të papranueshme që reflektuan një imazh të keq të funksionimit të shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Kjo si rrjedhojë e pakënaqësisë të opozitës sa i takon arritjes së dy marrëveshjeve të Qeverisë të Kosovës, e para me Serbinë si pjesë e procesit të dialogut Kosovë – Serbi dhe e dyta Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Duhet kuptuar se marrëveshjet ndërkombëtare janë materie më komplekse, që nuk varen vetëm nga vullneti politik i njërës ose i palës tjetër. Duhen analizuar edhe efektet anësore që mund të shkaktojë animi në favor të njërës palë në raport me palën tjetër. Ajo që është thelbësore, mendoj se është zotimi i SHBA, se nuk do të lejonte asnjë marrëveshje e cila do të ishte në dëm të pavarësisë të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Një deklaratë e thënë në mënyrë kaq transparente flet edhe për raportet dhe ndikimin politik të SHBA si forcë e pakontestueshme, edhe në Ballkan.

Pastaj, ftesa për Malin e Zi për të qenë shtet anëtar i Paktit Veri – Atlantik NATO, duke pasur parasysh se Mali i Zi historikisht ka qenë shtet i një blloku krejtësisht tjetër (kushtimisht pro rus, dhe vërehet tkurrja e ndikimit rus në Ballkan) nga ai që pretendon të bëhet anëtar sot. Prandaj edhe Marrëveshja lidhur me Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, mendoj se nuk mund të jetë produkt i rastësisë, aq më pak i destinuar për ta dëmtuar Kosovën.

Me një fjalë, ajo që duhet të bëjë Kosova, gjegjësisht liderët politik atje, është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve, të mbajë larg dhunën nga institucionet. Të mundësojnë luftimin e korrupsionit, që e pengon zhvillimin e gjithanshëm shoqëror, politik, ekonomik për të dhënë shembullin e një shteti të denjë për të qenë subjekt i marrëveshjeve ndërshtetërore, ndërkombëtare. Marrëveshjet ndërkombëtare janë në dorë të faktorëve më të rëndësishëm të gjeopolitikës të cilët me gjasë edhe i orientojnë proceset, për të shtuar ndikimin politik. Kosova është me fat që është në anën e duhur, në anën progresive të agjendës gjeopolitike, me përkrahje transparente nga SHBA.

Konstatimi se shqiptarët duhet të kenë besim te SHBA bazohet edhe në deklaratën e Bernd Fisher se SHBA – të janë të interesuara për të mirën e popujve më të vegjël në Evropë, dhe kjo deklaratë vërtetohet edhe tek mbështetja e ish-presidentit amerikan Wilson për Shqipërinë dhe parimin e vetëvendosjes së popujve, pastaj mbështetja e presidentëve Bush, Klinton dhe përsëri Bush në historinë më të re të zhvillimeve politike. Parimi i njohur amerikan „In God we trust” do të thotë se SHBA- besojnë në Zot, dhe ne u besojmë SHBA -ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button