Rexhep Rexhepi, ish komandant “Çiçavica” në gjendje të rëndë shëndetësore, familjarët kërkojnë arrest shtëpiak

Tashmë 8 muaj Rexhep Rexhepi, i njohur si “Komandant Çiçavica” është në paraburgim. Ai ndodhet në burgun e Këshanjit, në Kumananovë nën akuzën “armëmbajtje pa leje”. Familjarët pretendojnë se Rexhepi është i pafajshëm, por mbi të gjitha kërkojnë që deri në marrjen e aktgjykimit ai të lëshohet në arrest shtëpiak, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, gjendje kjo që sipas familjarëve, po i përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

Avokatja mbrojtëse konfirmoi për Portalb se është bërë kërkesa që Rexhepi të lëshohet në arrest shtëpiak gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe se pritet vendimi i gjykatës kompetente.

Familjarët ndër tjerash rrëfejnë për Portalb tmerrin e bastisjes dhe arrestimit të kryefamiljarit më 23 prill të vitit 2015. Sipas tyre, bastisja në shtëpi zgjati nga ora 15:00 deri në orën 21:00.

“Babai është i operuar në bel, në këmbë dhe në unaza, babai nuk mund të ec; ndërsa policët hynë brenda në shtëpi të armatosur, rreth 150 e ndoshta edhe 200 policë, thonin se është i rrezikshëm. Ka pasur shumë njësi speciale, inspektorë të lartë, policë të thjeshtë.”-tha i biri, Besjani. “Jo vetëm që kanë rrënuar gjithçka, por edhe kanë thyer.”-deklaroi Mevludja, bashkëshortja e Rexhepit, “Fëmijët u frikësuan shumë!”

Shqetësimi më i madh i familjarëve është përkeqësimi i shëndetit të Rexhepit, i cili tashmë lëviz vetëm me ndihmë të karrocës. Kështu urgjentisht kërkojnë që t’i mundësohet arrest shtëpiak.

“Nuk mund të qëndrojë më aty. Është ftohtë dhe ka shumë probleme shëndetësore.”-tha 19 vjeçari,  “Gjendja shëndetësore i është përkeqësuar shumë: Para se të burgosej ecte me ndihmë të një shkopi, pastaj me dy shkopinj, ndërsa tani në karrocë, se nuk mundet fare.”

Parashtrimin e kërkesës për arrest shtëpiak e konfirmoi avokatja, Artene Ademi.

“Procedura është në zhvillim e sipër, është në seancën kryesore, d.m.th. janë duke u nxjerrë të gjitha provat e propozuara edhe prej prokurorisë edhe prej palës mbrojtëse. Është proces i rregullt gjyqësor, akuzohet për armëmbajtje pa leje. Mbahet në paraburgim, mirëpo ne si mbrojtës kemi bërë kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit për shkaqe shëndetësore dhe ende nuk kemi përgjigje nga gjykatësi që udhëheq me këtë proces gjyqësor.” Ademi sqaroi “Kërkesën e kemi bërë në seancën e fundit gjyqësore më 18.11.2015, marrja e vendimit nuk është e afatizuar por besojmë se së shpejti do ta marrë gjykata.”

“Deri tani kemi duruar, por tani më është shumë i sëmurë!”-shtoi bashkëshortja, 49 vjeçare.

E vizitojmë çdo dy javë. Duhet atij t’i dërgojmë barna dhe të gjitha gjërat e nevojshme.” Ajo shtoi se me arrestimin e kryefamiljarit, i cili njëherit ishte i vetmi i punësuar në familjen 4 anëtarëshe u ndërpre i vetmi burim i financimit familjar.
“Vajza është 14 vjeçare. Djali nuk donte të vazhdojë studimet pavarësisht se ka fituar 95% të bursës në Universitetin Ballkanik, pasi sërish ka shumë harxhime. Gjatë verës ka punuar, por tani nuk ka punë.” Besjani vetë pranoi se është i gatshëm të punojë çfarëdo lloj pune për ta mirëmbajtur familjen. Me këtë rast ai apelon tek të gjithë që ta ndihmojnë.

Memeti: Nuk jam i njohur me rastin

Avokati i popullit, Ixhet Memeti deklaroi për Portalb se për çështjen në fjalë dëgjojnë së pari herë nga gazetarja e Portalb, por se është i gatshëm të bëjë çfarë është në kompetencë të tij nëse atë e kërkojnë familjarët.

“Unë nuk kam pasur ndonjë ankesë, që të kem lëndë për të dhe nuk kam informatë, por nëse familja e tij ose ai kërkojnë prej meje dhe më japin leje të filloj proces, unë do të shkoj ditën e hënë ta vizitoj e të shohim si është puna” thotë Memeti.

Ndryshe, sipas bashkëshortes, Rexhep Rexhepi lindi më 25.09.1971. Mori pjesë në tre luftëra, edhe atë: në Kosovë, në Maqedoni dhe në Preshëvë. Gjatë luftërave ai edhe u plagos, ashtuqë problemin me unazat e ka qysh në vitin 1998, gjatë lufës së Kosovës. E tashmë 5 vite ka problem me belin dhe këmbën dhe duhet të operohet sërish në pranverë./Portalb.mk

Kontakt: Besjan Rexhepi 078 227 887

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button