Standarde të reja brenda partive të reja dhe atyre ekzistuese, jo “copy paste” !

Nëse dëshirojmë të ndërtojmë një shoqëri të fortë demokratike, zhvillim të mirëfilltë të proceseve demoraktike , eliminimin e standardeve të dyfishta, nepotizmin dhe mospërfilljen e kritereve profesionale dhe etike, ngushtimin e ushtrimit të pushtetit të bartësve të funksioneve politike dhe ekzekutive, mendoj se në të ardhmen partite politike si partija në pushtet dhe opozitare si dhe partitë politike në formim, duhet të insistojnë me çdo kusht në reforma rënjësore rreth organizimit, strukturimit politik dhe kritereve rreth zgjedhjeve të bartësve pushtetit politik, legjislativ dhe ekzekutiv. Andej në këtë drejtim duhet bërë këto ndryshime:

1 .Limitimi i mandateve të kryetarit në tetë vite,që përkthehet në dy mandate qeverisëse, apo dy mandate tentative për të fituar zgjedhjet në opozitë.Kjo domethënë se statuti i partive duhet ta përfshijë këtë pikë mjaft të rëndësishme, e cila do të zbatohej me përpikmëri. Çdo kryetar partie , kushtimisht lider i partisë fituese që e tejkalon këtë normë, duke marrë parasysh edhe mentalitetin ballkanik e të bërit politikë, është i destinuar të dështoj dhe të inkriminohet gradualisht. Me vendosjen e kësaj norme do të shmangej klientelizmi klasik dhe do të evitohej krijimi i pushtetarëve të inkriminuar, bashkë me krijimin e oligarkëve partiak pa meritë , të cilët më pas bëhen me të pushtetshëm se vet pushtetarët. Me këtë edhe politikat drejtohen ne bazë të interesave të tyre, jo nga ideologjia e përcaktuar e partisë fituese. Gjithashtu do të shmangej krijimi i kulteve dhe keqpërdorimi i partive nga individ, gjegjësisht kontrolli absolut mbi partinë Kjo normë do sillte rifreskim të vazhdueshëm dhe do të pamundësonte komoditetin e liderëve, rrjedhimisht keqpërdorimin e pushtetit partiak për një kohë të gjatë, do eliminonte nepotizmin dhe do të parandalonte krijimin e partive “familjare”, të cilat më pas bëhen të paprekshme dhe pamundësojnë reformat eventuale. Ky do të ishte një nga mekanizmat më të fuqishëm në luftimin e kleptokracisë, që është një standard famëkeq ballkanik.

  1. E dyta por jo më pak e rëndësishmja është që bartësi i listës zgjedhore, rrjedhimisht kryetari i partisë që i fiton zgjedhjet dhe të cilit i jepet besimi që ti përfaqësoj shqiptarët, me patjetër të marrë funksion në ekzekutiv si zv.ëvendës kryeministër apo ministër. Në këtë mënyrë ai do ta institucionalizojë politikën dhe qëndrimet e tij dhe njëkohësisht do të marrë përgjegjësinë eventuale përpara ligjit, por edhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë morale dhe politike përpara popullit. Udhëheqja si deri më tani, e krerëve, nga shtëpia dhe nga selitë e tyre partiake, duke mos marrë pjesë as në seancat parlamentare, për të cilën edhe marrin edhe besimin e popullit, le për të dëshiruar, dhe paraqet jo seriozitet në veprimin e tyre politik. Udhëheqja e stilit të bosave,.me urdhra nëpërmjet telefonit dhe nëpërmjet disa pishtarëve të “familjes”, u jep komoditetin për të zgjatur jetën politike dhe për të ikur nga përgjegjësia si ligjore ashtu edhe morale.Kjo e dobëson demokracinë brenda partive por edhe efikasitetin e partive politike. Populli ia jep votën dhe besimin liderit për të vepruar institucionalisht, e jo “ilegalisht”.
  2. Dekriminalizimi që po merr hov të madh në Ballkan me përkrahjen e fortë të perëndimit, me patjetër duhet të aplikohet edhe tek partitë shqiptare në Maqedoni. Të evitohen sherifët lokal të cilët janë prioritet në listat për deputet vetëm se kanë fuqi financiare,.pa qenë pjesë e filtrave demokratik të vlerave brenda partiake. Dekrimanilizimi i partive do t’i përcaktonte vijat ndarëse midis krimit dhe politikës, ndërsa kjo do të kontribuonte në prosperitet dhe demokraci të shendoshë si brenda partive ashtu edhe në atë të shoqërisë në përgjithësi.Tërrë kjo për të thënë se duhet të aplikohen standarde të reja brenda partive ekzistuese, jo partitë e reja të aplikojnë standarde të njëjta!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button