Ftohja SHBA-Egjipt rrezikon Lindjen e Mesme

Marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Kajros janë në “krizë”, dhe ftohja e tyre mund të ketë ndikim në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme, ka thënë ministri i Jashtëm egjiptian.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit ka thënë të mërkurën se marrëdhëniet ndërmjet vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjenden në “krizë”, pas vendimit të Uashingtonit për të suspenduar furnizimin e Kajros me tanke, helikopterë dhe aeroplanë luftarakë, ka shkruar “AP”.
Suspendimi i furnizimit, i njoftuar javën e kaluar, ka ardhur në reagim ndaj trazirave pas puçit ushtarak të 3 korrikut që ka rrëzuar Mohammed Morsin, presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe që ka çuar në vdekjen e qindra njerëzve nga operacionet policore.

Në një intervistë me gazetën shtetërore “Al-Ahram”, ministri i Jashtëm, Nabil Fahmy ka thënë se ekziston “një krizë në marrëdhëniet” ndërmjet dy vendeve, duke paralajmëruar se ftohja e tyre mund të ketë ndikim në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme. Intervista është botuar të mërkurën.
Megjithatë, Fahmy ka thënë se nuk është “i brengosur për këtë krizë në marrëdhënie”, sepse ajo gjithashtu përbën një rast për dy vendet për të “vlerësuar më mirë marrëdhëniet në të ardhmen”.

Vendimi i administratës amerikane për të ndërprerë ndihmat ushtarake për Egjiptin ka qenë i menduar si paralajmërim se ajo më nuk mund të bashkëpunojë si zakonisht me Kajron, ka thënë presidenti Barack Obama, javën e kaluar. Gjatë komunikimit të vendimit, Departamenti i Shtetit nuk ka thënë se sa për qind e ndihmës së përvitshme ushtarake dhe ekonomike prej 1.5 miliard dollarë është suspenduar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë furnizimin e Egjiptit me helikopterë “Apache”, aeroplanë luftarakë “F-16” dhe raketa “Harpoon” kundër anijeve.

Por, vendimi amerikan përbën më shumë një shuplakë simbolike sesa një plagë ndëshkuese për qeverinë e re të Egjiptit, që mbështetet nga ushtria, për devijimin e saj nga rruga demokratike.

Qeveria e re egjiptiane gëzon përkrahjen e shteteve të pasura të Gjirit Arab, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto shtete të pasura me naftë kanë derdhur miliarda dollarë në arkat anemike të Egjiptit dhe dëshirojnë vazhdimin e luftës së përbashkët kundër islamikëve.

Uashingtoni gjithashtu ka suspenduar një ndihmë prej 260 milionë dollarë para të gatshme për qeverinë e Kajros, derisa të shënohet “progres i qëndrueshëm” drejt një qeverie gjithëpërfshirëse të vendit, e cila do të themelohej nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të drejta. SHBA-ja ka thënë se do të vazhdojë t’i japë mbështetje Egjiptit për shëndetësi, arsim dhe luftë kundër terrorizimit.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button