Vazhdojnë bisedimet për mediat, gazetarët “jashtë loje”

Raund të ri të bisedimeve kanë nisur edhe sot partitë politike, të cilat po diskutojnë për reformat në media që dalin nga Marrëveshja e Përzhinos, transmeton Portalb.

Nga zyra e lehtësuesit Piter Vanhojte në takimin e sotëm nuk kanë qenë të thirrur organizatat e gazetarëve të cilat dje protestuan dhe kërkuan përfshirjen e tyre në bisedime.

Partitë politike i kanë parasysh të gjitha propozimet nga konsultimet me palët që u tangon kjo çështje, përfshirë këtu edhe kërkesat e gazetarëve dhe sindikatës, shprehet lehtësuesi Piter Van Hojte.

“Në takimin e sotëm të grupeve punuese diskutohet Ligji për shërbime audio dhe audiovizuele, konkretisht për rolin dhe funksionimin e Agjencisë. Që nga fillimi rregullisht kam takime me palët, ku ata i shprehin qëndrimet e tyre, me qëllim që korniza ligjore t’i reflektojë jo vetëm rekomandimet e Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së, por edhe kërkesat e gazetarëve, sindikatës dhe palët tjera”, tha Vanhojte, njofton Portalb.

Mbetet që bisedimet të zhvillohen mes partive politike, ndërkaq mediat kohë pas kohe të informohen se për çka bëhet fjalë.

Nga SHGM për Portalb thanë se janë në diskutime dhe së shpejti do të dalin me qëndrim zyrtar.

Dje Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e gazetarëve dhe Instituti maqedonas i mediave para Klubit të Deputetëve protestuan dhe shpalosën kërkesën e tyre për përfshirjen e gazetarëve në bisedimet mes grupeve punues, ku po flitet për mediat./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button