Fule: Krimi i organizuar dhe liria e shprehjes çështje shqetësuese në Maqedoni

Komisari për zgjerim, Stefan Fule sot në Bruksel prezantoi raportin e progresit të Maqedonisë për vitin 2013. Mos-zgjidhja e çështjes së emrit dhe dështimi për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshme në këtë drejtim i vendos në rrezik reformat e Maqedonisë dhe vet kredibilitetin e Bashkimit Evropian, është konkluzioni i direktoratit të tij.

Mes tjerash Fule tha se kriza politika ka nxjerrë në pah polarizimet e mëdha politike në vend dhe mungesën e dialogut politik, gjë që ka ndikuar Maqedonia mos ta shfrytëzojë mundësinë e ofruar me konkluzionet e Samitit të BE-së, vitin e kaluar.

“Kujdes të veçantë duhet ti kushtohet sundimit të Ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Liria e shprehjes mbetet gjithashtu çështje për tu brengosur.” tha Fule.

Ai theksoi faktin se për të pestën herë Komisioni rekomandon hapjen e negociatave aderuese për Maqedoninë, dhe asnjë vendim nuk është marrë nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

“Dështimi për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshme në këtë drejtim i vendos në rrezik reformat e vendit dhe vet kredibilitetin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. “ potencoi komisari për zgjerim, transmeton Portalb.

Ai përsëriti se Komisioni mbetet i gatshëm që pa vonesë ta prezantojë kornizën për negociata mes Maqedonisë dhe Greqisë duke e pasur parasysh nevojën për ta zgjidhur çështjen në një fazë të hershme të zhvillimit të negociatave me BE-në.

“Komisioni konsideron se përderisa procesi i skriningut të zbatimit të reformave vazhdon, mund të krijohet momenti i duhur i cili mundëson gjetjen e zgjidhjes për çështjen e emrit para se të fillojnë negociatat  e aderimit. “deklaroi para gazetarëve në Bruksel, komisari për zgjërim, Stefan Fule.

Sipas tij, në përgjithësi, reformat kanë vazhduar dhe agjenda evropiane mbetet prioritet strategjik i Maqedonisë. 

“Dialogu në nivel të lartë me Brukselin është i dobishëm dhe do të vazhdojë të fokusohet në çështjet kyçe duke i përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore por ky dialog në asnjë çast nuk mund ti zëvendësojë negociatat aderuese me BE-në.

Raporti për përparimin e Maqedonisë gjendet në këtë link. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button