“Vatra” mbështet Këshillin Mbipartiak

Sot Kryetari i Federatës Panshqiptare “VATRA”, Dr. Gjon Buçaj, i është drejtuar me një letër Këshillit Mbipartiak në Maqedoni, në të cilën shpreh mbështetjen e tij për Këshillin. Në letrën e tij ai thotë: “Të dashur vëllezër të një gjaku, Më lejoni të përshëndes të gjithë udhëheqsit dhe anëtarët e atij Këshilli Mbipartiak, i cili, si kuptohet nga emri, ka marrë mbi vete veprimin në interesin e përbashkët të shqiptarëve në Maqedoni.”

Me këtë rast VATRA, përveç mbështetjes, konsideron se Këshillit Mbipartiak do të ishte mirë t’i bashkohet edhe Dr. Rifat Alili, një shqiptaro-amerikan, doktor i filozofisë, që për shumë vite ka vepruar në SHBA. Me këtë rast Dr. Buçaj thekson: “z. Alilii i njeh mirë mendimet dhe brengat e “Vatrës”, për problemet kombëtare në përgjithësi dhe çështjet shqiptare në Maqedoni në mënyrë të veçantë, të cilat ai i sjell në Këshillin Mbipartiak Shqiptar ku, jam i bindur, do të gjejë të njëjtën frymë.”

Kryetari i VATRËS më tej shton se: “Puna e juaj nuk asht e lehtë, për arsye se interesat partiake janë tepër të forta, mjerisht janë të ndërlikueme edhe me interesa korrupsioni, por jam i bindur se vullneti i juaj asht ma i fortë se pengesat. Jetojmë në një kohë të favorshme për shqiptarët, por duhen udhëheqsa të përkushtuar me shfrytëzu rrethanat e kohës për arritjet kombëtare, për të cilat asht derdhë shumë gjak dhe janë ba shumë sakrifica në të kaluarën. Asht mirë me ua ba politikanëve të ditun se gjeneratat që vijnë dhe historia do ta gjykojnë rëndë klasën e sotme politike për mungesën e bashkëpunimit dhe të angazhimit për arritjet e mundshme, në këtë kohë që mund të mos përsëritet ma.”

Federata Panshqiptare “VATRA” është shoqatë organizatë e shqiptarëve të SHBA-ve, që është themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica më 28 prill 1912.

Formimin e Këshillit mbipartiak e ka propozuar Lëvizja Besa, me qëllim krijimin e një fronti opozitar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button