Zgjohuni, kthehu atje poshtë, në vendin e shqiponjave o shqiptarë!

“Dedikuar një plejade të tërë gjeneratës time të migruar në lulen e rinisë. Të falimentuar moralisht dhe shpirtërisht më në fund kthehen, pa trashëgimtarë të tyre, pa fëmijët, pa nipat, pa mbesat e tyre. Këta janë heronjtë e shpirtit tim”.

Ti shpirt rebelues, që u arratise dhe u shkëpute nga tempulli yt, shkëmbi binjak, nga toka gjaku dhe fisi. Erdhe nga vendi i shqiponjave, nga Ballkani, vendi i miteve dhe legjendave. Fluturove si shqiponja dykrenare, në drejtim të parajsës tënde të imagjinuar. Në fund arrite, arrite në parajsën  tënde të premtuar. Të pritën me mikpritje të ftohtë, mirëseardhjeje dhe përshëndetje kozmike dhe artificiale. Por në fund ta vunë vulën, u bëre me damkë e nishan, si shqiponja rebeluese me unazë në këmbë. Tërë jetën do jetosh, do jetosh i damkosur deri në vdekje. Banove në parajsë, në këto alpe të bukura, por jetove si në ferr, me shpirt të trazuar. Erdhe në vend të huaj, jetove i shkëputur nga trupi, punove, veprove, vetëm me instinkt, nuk u asimilove  kurrë. Punove, fitove, ndërtove pallate.

Kthehu dhe jetoje atë pjesë të jetës që të ka mbetur.

Kthehu atje poshtë në vendin e shqiponjave, atje ku popujt merren me  mite, legjenda dhe besëtytni.

Kthehu tokës mëmë nga erdhe, atje ku u linde! Ku pe dritën e parë, ku pe ëndrrën e parë! Atje ku dielli të ngrohë më mirë!

Kthehu, në ato kodrina e male, në ato fusha e bregore!

Kthehu atje tek xhamia e gjelbër, ku në fëmijëri me gjyshin për dore, shkoje të falje Bajramet!

Kthehu atje në ato perla të bukura, ku ditën e Shëngjergjit, në fëmijëri të lante nëna me lule!

Kthehu atje tek shkëmbi i cucave (vashave) kur djemtë dhe cucat ktheheshin nga malet, me kurora në kokë! Atje  ku vashat dhe djemtë, prej së largu binin në dashuri, me bishtsyri dhe emocione vështronin të dashurit dhe të fejuarit e tyre!

“Ti shpirt hero, tragjik dhe syrgjyn”

Kthehesh si luftëtari nga fushëbetejat, me plagë të rënda në trup. Kthehesh si marinari me anije në ishull, që përplaset nga dallgët e detit e më në fund arrin në port!

Kthehesh për të shëruar plagët, i vetmuar, me duar në gji!

Kthehesh pa fëmijët, pa nipat dhe pa mbesat e tua! Kthehesh i zhgënjyer , i penduar dhe i revoltuar!

Merri dhe treti këto pallate, që i ndërtove dhe nuk i gëzove kurrë! Imperativi yt, ishte i kotë, se ne duhet, se ne jemi! Ti që militove me shpirt për atdheun, me flamur në dorë, duke ju rënë anembanë kryeqyteteve perëndimore. Ishte i kotë himnizimi, nacionalizmi, patriotizmi, romantizmi, krenaria, kthimi  si triumfues në atdhe!

Ti kthehesh duke menduar se do gjesh dashuri, ngrohtësi, ngushëllim si më parë. E tani po troket në derë, të erdhi ora të kthehesh, të kërkon toka që të lindi, të pushosh, të prehesh në jetën e amshueshme përgjithmonë! Ti shpirt humbës i madh, fatkeq, që pësove disfatë e derdhe farën nëpër Europë, përtej oqeaneve, e tani kthehesh steril. Ishe në dyzim, dyluftime, jetove dy botë, dy jetë, jetove në parajsë dhe në ferr. Më në fund mbete pa atdhe, pa komb, pa fis, pa shokë dhe miq. Tu kthyen në bumerang, shkatërrim, mëkatet nëmët e atdheut. Mbete, pa pasardhës, pa trashëgimtarë, pa zogjtë dhe të vegjlit e tu. E ҫ’fitove, o i gjorë!? Po ҫ’kërkon këtu në këtë tokë të nemur, nuk e sheh se këtu, ka vetëm varfëri, mjerim, dhimbje, vuajtje, nuk e sheh se të gjithë po ikin, e ti kthehesh, kthehesh në ferrin e Dantes!?

Shporru dhe ik, o ti i huaj! Ti nuk je si ne, as ne nuk jemi si ti, ti nuk flet si ne, e as ne nuk flasim si ti, shikohu, në pasqyrë, njihe veten, shih damkën, shih plagët, nuk je i yni, nuk je as gjaku, mishi as brumi ynë. Je racë e huaj, ke humbur identitetin, kanunin, traditën, doket gjithë tiparet. O ish atdhetar, ish kombas, ish fis dhe ish shokë, ik dhe shko atje ku ta vunë unazën. Merr një grusht dhe, nga toka e shenjtë e atdheut të prindërve dhe gjyshërve të tu! O ti i huaj, shko atje në mes të të huajve, atje ku tërë jetën e konsumove, shko më në fund dhe konsumoje, edhe atë pjesë të jetës që të ka mbetur! Ti shpirt hero, tragjik dhe syrgjyn, që u trete, u dogje si qiri në vend të huaj.

Shqiponja me unazë në këmbë,  është marrë nga një vepër e Tolstoit . Ajo rebelon, shtegton në dhe të huaj. Në këmbë ia vunë unazën, më në fund kthehet në vendlindje, me damkë, me unazë në këmbë. Është baladë, legjendë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button