Liderët politik urojnë Ditën e Alfabetit shqip

Liderët politik në Maqedoni kanë uruar të gjithë Ditën e Alfabetit shqip. Më poshtë u sjellim uratat e tyre.

Kryeministri Nikolla Gruevski uron shqiptarët me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe

Kryetari i Qeverisë të Republikës së Maqedonisë Nikolla Gruevski dërgoi urim deri te anëtarët e komunitetit etnik shqiptar në Republikën e Maqedonisë me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe.

“Karakteristikat kulturore për çdo popull  janë me vlerë të madhe për identifikimin personal. Duke jetuar në kohën e globalizimit  dhe civilizimit bashkëkohor asnjëherë nuk duhet t’i harrojmë  bazat kulturore pa të cilat njerëzimi as nuk do t’i përjetonte  arritjet e tij. Një nga ato baza është edhe krijimi i alfabetit si një nga  dhuratat më të çmuara të synimit njerëzor për zhvillim më të shpejtë  dhe realizime më të mëdha”, thuhet në urim.

Nga ai aspekt,  ashtu siç është cituar, krijimi i Alfabetit shqip është një nga rezultatet e rëndësishme kulturologjike të popullit shqiptar dhe tërësisht e arsyetuar është pjesë e shënimit të datave të rëndësishme për shtetin tonë dhe për qytetarët tanë.

“Respektimi i kësaj date është edhe respekt ndaj komunitetit të tërësishëm shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, ndërsa respekti është rojtari kryesor dhe strumbullar  i shoqërisë sonë dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Ta ruajmë dhe kujdesemi  ashtu siç i ngjan  një shoqërie bashkëkohore ku bashkëekzistojnë kombe të ndryshme dhe tërësi etnike. Të mbahemi së bashku dhe të jemi shembull  se si së bashku punohet  për të mirën e shtetit tonë, për të mirën e qytetarëve tonë, për një jetë më të bukur,  më kualitative dhe më të lumtur në çdo pjesë të Republikës së Maqedonisë”, qëndron në urimin e kryeministrit.

Urim nga Veljanoski me rastin e Ditës së alafabetit të gjuhës shqipe

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski  anëtarëve të komunitetit etnik shqiptarë të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë ua uron Ditën e alfabetit të gjuhës shqipe.

“Karakteristikat bazë sipas të cilave dallohet një popull nga tjetri janë alfabeti dhe shkrimi. Ato janë edhe karakteristikë e arritjeve civilizuese, shprehjeve e besimeve, traditat dhe bashkësia përmes të cilave ndërtohet  vetëdija kolektive. Përpjekja jonë  është t’i respektojmë llojllojshmëritë  dhe të vazhdojmë të përkujdesemi për tolerancën dhe bashkëjetesën  mes të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Përfitimi ynë është nëse shohim në dallimet si mundësi për mësim  të gjërave të reja”, thuhet në urim.

Me shënimin e kësaj feste, qëndron në urim, edhe njëherë i konfirmojmë përpjekjet tona të përbashkëta për bashkëjetesë mes të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

“Jam i bindur se komuniteti etnik shqiptarë, por edhe komunitetet tjera e kanë kontributin e tyre  drejt zhvillimit dhe përparimit të shtetit tonë”, qëndron në urim.

Ali Ahmeti: Manastiri, Prizreni dhe Vlora na bëjnë një

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social facebook ka uruar gjithë shqiptarët për pervjetorin e kongresit të manastirit

“Sot, me krenari shënojmë përvjetorin e një nga vendimeve më të rëndësishme të burrështetasve dhe dijetarëve shqiptar, atë të përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit më 1908.

Ashtu si edhe Lidhja e Prizrenit më 1878 dhe shpallja e pavarësisë në Vlorë më 1912, 22 nëntori i vitit 1908 solli vendim të guximshëm, historik dhe vizionar të më mirëve të kombit tonë, thuhet në urimin e kryetarit të BDI-së, z.Ali Ahmeti.

Ahmeti barazon këtë festë me Lidhjen Shqiptare të Peizrenit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqiperisë në Vlorë.

PDSH: Falë PDSH-së shqiptarët e Maqedonisë festojnë 22 nëntorin

Kam kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t’iu uroj gjithë shqiptarëve Ditën e Alfabetit Shqip, theksohet në urimin e kryetarit të PDSH-së Menduh Thaçi, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit shqip.

Sot përkujtojmë 107 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit ku u themelua Alfabeti i përbashkët shqip. Me angazhimin Partisë Demokratike Shqiptare prej vitit 2007, shqiptarët e Maqedonisë e festojnë këtë datë të rëndësishme si festë kombëtare.

Është obligimin i secilit prej nesh që të vazhdojmë misionin e rilindësve tanë duke kultivuar gjuhën, kulturën, si dhe vlera mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë. Ai popull që kultivon gjuhën e vet, kultivon edhe vlerat e mirëfillta kombëtare, shtohet më tej në urim.

RDK uron shqiptarët me rastin e Ditës së Alfabetit

Rilindja Demoktarike Shqiptare në krye me kryetarin e saj, Vesel Memedi sot me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit shqip ka dërguar telegram urimi për të gjithë shqiptarët.

Kongresi i Manastirit përfaqëson kulminacionin e organizimit kulturorë, shpirtërorë dhe politik të kombit shiptarë ku u bë njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe, ashtu si e njohim ne sot. Rruga e shkronjave tona të arta nuk ka qenë e lehtë, por ne si popull në momentet më të vështira ia kemi dalë gjithmonë, njashtu si në rastin konkret duke mbajtur drejtimin e duhur, që sot të qëndisim me këto shkronja urimet për këtë ditë.

Me këtë akt shqiptarët edhe njëherë dëshmuan pjekuri kulturore dhe politike, diçka që sot u mungon elitave politike. Le të shërbej ky forum mbarëkombëtarë i Manastirit një dëshmi se edhe sot jemi një komb, një histori, një gjuhë dhe një alfabet. Ta ruajmë dhe ta kultivojmë këtë gjuhë të bukur amtare sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruajmë identitetin tonë kombëtarë, thuhet në urim.

UNITETI uron Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe

Partia UNITETI të gjithë shqiptarëve ua uron Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe dhe përvjetorin e 107-të të Kongresit të Manastirit, një ndër të arriturat më të mëdha të kombit shqiptar. Me unifikim e Alfabetit shqip me shkronja latine u përcaktua orientimi perëndimor dhe europian i kombit shqiptar i cili ishte edhe vizioni i intelektualëve dhe patriotëve më të shquar të kombit tonë. Në frymën dhe traditën e tyre edhe ne sot duhet të luftojmë ta çojmë vendin përpara nëpërmjet arsimit dhe vlerave tona të përgjithshme.

Urime dita e Alfabetit Shqiptar, Zoti e bekoftë kombin shqiptar.

Urimi i kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami për Ditën e Alfabetit

Me rastin e ditës së madhe të shkronjave shqipe, Ditës së Alfabetit Shqip, më lejoni t’Ju uroj në emër të të gjithë anëtarëve të Lëvizjes BESA, por edhe në emrin tim, duke uruar që kjo festë të jetë një mundësi më shumë që ne të reflektojmë për rëndësinë që ka shkrimi shqip, fjala shqipe dhe kultura shqiptare në Maqedoni.

Me këtë rast nuk mund të mos shpreh keqardhjen time se këto shkronja të gjuhës sonë të bukur akoma nuk gjejnë zbatim në përdorimin zyrtar të shqipes në Maqedoni dhe kjo vetëm për fajin e politikanëve shqiptarë që ndër vite e pamundësuan zyrtarizmin e gjuhës shqipe në vend.

Megjithatë urojmë që 22 Nëntori i viteve të tjera të na gjejë më mirë, më të bashkuar dhe me shqipe të nderuar në Maqedoni. Shpresoj që vitin tjetër Shtëpia e Alfabetit në Manastir më 22 Nëntor nuk do të shërbejë më foto-studio e politikanëve të pushtetit, të cilët ia ndalojnë fondet por ia shfrytëzojnë imazhin, por do të jetë njëmend një muze me plotkuptimin e fjalës!

Urime për shumë mote 22 Nëntori i Alfabetit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button