Drejtori i Jugohromit: Nuk jemi ndotësit e vetëm

Drejtuesit e kombinatit Jugohromit në Tetovë, si ndotësi më i madh i ajrit në rajonin e Pollogut, thonë se nuk janë fajtorët e vetëm për ndotjen e ambientit. Kreu i kompanisë Vasko Skenderovski në një prononcim për Alsat M pranon se kombinati ndot, por sipas tij, matjet e Ministrisë së Ekologjisë tregojnë se ajri ndotet edhe nga deponia e mbeturinave në hyrje të Tetovës ku digjen plastike dhe goma.

“Çdo drejtor i një kompanie të tillë duhet të ketë një ndërgjegje dhe përgjegjësi morale për ngjarjet që janë të pranishme këtu. Natyrisht se nuk është njëjtë për mua, me vështirësi të luftojmë jo vetëm si ekip i menaxhimit por në përgjithësi, edhe me konsultimet me pronarin tonë për të përshpejtuar procesin e vendosjes së filtrit për mbledhje të pluhurit, sepse unë si menaxher i kompanisë dua që të kem një mjedis të shëndetshëm jo vetëm këtu por edhe në shtetin tonë,” u shpreh Vasko Skenderovski,Drejtor i përgjithshëm i Jugohrom-it, njofton Alsat M.

Skenderovski tha se grimcat e emetuara teknikisht nuk mund të arrijnë në Tetovë për shkak se ata pas katër kilometrave bien dhe shtresohen në tokë. Për zvogëluar ndotjen kompania thotë ai para disa ditëve ka reduktuar kapacitetin e punës, duke ç’kyçur furrën numër shtatë e cila është ndotësi më i madh. Për momentin punojnë vetëm dy furra. Kreu i Jugohtomit pohon se vazhdimi i lejeve të punës që ua miraton qeveria nuk është për shkak të lidhjeve të ngushta me VMRO – DPMNE-në, dhe punësimin e anëtarëve të tyre.

“Kategorikisht i hedh poshtë spekulimet e tilla, sepse Jugohrom është një kompani private që punon profesionalisht, pa presione politike, të paktën në kohën që kur unë jam drejtor i përgjithshëm. ” deklaroi Vasko Skenderovski,drejtor gjeneral i Jugohrom ferolajs.

Mbyllja e furrave ka dërguar shumë punëtorë në pushim të detyruar. Menaxhmenti ka njoftuar se deri në fund të këtij muaji do të fillojnë me aktivitete të instalimit të filtrave. Pas miratimit të planin të ri urbanistik, kompania do ta dorëzojë raportin në Ministrinë e Mjedisit. Sipas planit për investime deri në fund të vitit duhet të finalizohen të gjitha përgatitjet, dhe në fund të marsit apo në fillim të prillit, fabrika të fillojë të punojë me filtra dhe ta zvogëlojë ndotjen. Sipas kreut të kompanisë, aktualisht në Jugohrom janë të punësuar 1,063 nga të cilët 600 çdo ditë shkojnë rregullisht në punë, ndërsa 463 punëtorët janë dërguar në pushim të detyruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button