Ymeri: ‘Zajednica’ dhe Demarkacioni kërcënojnë Kosovën

Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ripërsërit qëndrimin e opozitës në lidhje me dy marrëveshjet e qeverisë për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Ymeri thotë se opozita është e palëkundur në qëndrimet e saj deri në anulimin e dy marrëveshjeve, të cilat i cilëson si kërcënim për shtetin dhe territorin e Kosovës.

Kreu i “Vetëvendosjes” shton se maxhoranca në pushtet ka krijuar një situatë, e cila duhet ndryshuar rrënjësisht, hap të cilin opozita është e gatshme ta bëjë.

Postimi i Ymerit

“Ne kërkojmë zbatimin e parimit themelor të demokracisë për një projekt aq të rëndë për shtetin e Kosovës, siç është “Zajednica”. Ata që mbështesin vendimmarrjen e njëanshme, pa përfshirje të gjerë të opozitës e qytetarëve, në fakt janë shkatërruesit e vërtetë të shtetit dhe mbështetës të autoritarizmit. Por shteti ynë do të jetë doemos demokratik. “Po sulmohet shteti”, “Po shkatërrohet shteti”, “po thyhen makinat zyrtare, të paguara nga taksat tona”, “Po prishen pllakat e rrasat e sheshit”, “Po thyhen xhamat e ndërtesës qeveritare”. Shteti nuk është xhamat, gurët e rrasat. Shteti nuk është pushteti e as policia e urdhëruar prej tij. Shteti është Republika. Është territori, populli në këtë territor, një konglomerat i gjerë institucionesh ku delegohen përgjegjësitë e veçanta për ushtrim sovraniteti, i cili buron nga populli, hapësira publike e barazisë e shërbimet publike për të gjithë barabartësisht. Dhe këto vërtet janë sulmuar e sulmohen për çdo ditë, me qëllim shkatërrimi. Sulmohen nga pushteti, nga Thaçi e Mustafa, Veseli e Skënder Hyseni. Këta që kanë zaptuar institucionet shtetërore, që i përdorin ato selektivisht për interesa të pushtetit të tyre, për projektet e tyre biznesore e korruptive, e marrëveshjet e tyre kriminale e shtetrrënuese. Shteti po rrënohet. ‘Zajednica’ po e kërcënon me zhbërje. Demarkacioni po ia cungon territorin. Zhvatja, uzurpimi e hajnia po ia privatizojnë publiken: pronën, pasurinë, paranë. Kapja e korrupsioni po ia shkatërrojnë gjyqësinë. Drejtori e komandantët po e privatizojnë policinë. Ekzekutivi po ia pamundëson zhvillimin ekonomik. E oligarkët e pushtetit po e uzurpojnë mundësinë dhe po e arrestojnë barazinë. Të gjithë bashkë po e rrënojnë shtetin e Republikën. Të prirë nga kryeshkatërruesit Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Gjithë këto vite na kanë thënë se janë duke e forcuar shtetësinë e Kosovës dhe se qytetarët duhet t’u besojnë se kjo po ndodh duke na i kundërshtuar me arrogancë kritikat, sugjerimet e kundërshtimet tona. Për fat të keq, kritikat e kundërshtimet tona mbetën e premtimi i tyre për forcimin e shtetit të Kosovës është shuar tashmë. Kjo situatë duhet të ndërrojë rrënjësisht. Ne jemi të vendosur ta ndërrojmë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button