Mbreti i Jordanisë në Prishtinë: Ne po përballemi me një luftë kundër njerëzimit, DAESH vret edhe muslimanë

Sulmet në Paris treguan se bota po përballet me një luftë kundër njerëzimit, DAESH nuk zgjedh, vret edhe muslimanë sepse një grup i tillë johuman nuk respekton asnjë ligj, deklaroi sot në Prishtinë Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, Ibn Al Hussein, raporton Anadolu Agency (AA).

Me ceremoni solemne para Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, pak pas mesditës, u prit Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, Ibn Al Hussein, i cili arriti për një vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo u pasua me një takim të presidentes kosovare me mbretin jordanez me ç’rast iu drejtuan mediave.

Mbreti Abdullah II shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Kosovë dhe progresin e arritur në vend. Ai tha se Kosova “luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit” dhe premtoi se vendi i tij, si shumë të tjera në botë, do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin e saj.

“Ju gjithmonë mund të llogarisni në mbështetjen time dhe mbështetjen e vendit tim. Kosova është një vend evropian me shumicë popullsi muslimane në një kohë kur Evropa dhe Islami janë nën sulmin e terroristëve dhe Kosova mban vlerat më të mira të tolerancës dhe bashkëjetesës”, tha mbreti Abdullah II.

Mbreti jordanez theksoi se sulmet e tmerrshme në Paris javën e kaluar tregojnë se sulmet terroriste të DAESH-it dhe grupeve të ngjashme mund të ndodhin kudo dhe kurdo, dhe se duhet patjetër vepruar sa më shpejtë të jetë e mundur kundër grupeve të tilla.

“Këto janë grupe të paligjshme, johumane, të cilat nuk respektojnë asnjë ligj. I thashë presidentes që ne jemi të ballafaquar me një luftë të tretë botërore kundër njerëzimit, dhe kjo është ajo që të gjithë neve na lidh. Për fat të keq, më shumë se njëqind mijë muslimanë u vranë nga DAESH-i në dy vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të reagojnë shpejtë për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve pavarësisht nëse bëhet fjalë për këtë rajon apo të Afrikës dhe Azisë”, porositi mbreti Abdullah II.

Ai theksoi se Kosovën e sheh si një partner, e cila ka ofruar një përgjigje shumë të fuqishme ndaj ekstremizmit.

Presidentja Jahjaga tha se është e tmerruar nga sulmet brutale në Paris dhe e trishtuar në humbjen e kaq shumë jetëve të pafajshme të njerëzve.

“Ne të gjithë jemi të prekur, sepse ky nuk ishte sulm në Paris, ai ishte sulm ndaj çdo vendi të lirë në botë. Ishte sulm ndaj vlerave dhe lirive të cilat janë baza e njerëzimit dhe baza për shoqërinë të cilën e përfaqësoj. Shkatërrimi i këtyre rrjeteve terroriste është një sfidë për të cilën të gjithë ne duhet të përballemi. Është e rëndësishme lidhur me këtë çështjen ti kushtojmë vëmendje edhe resurseve për eliminimin e tyre në mënyrë që të shkatërrohen deri në fund”, tha Jahjaga.

Ajo theksoi se Kosova nuk do të jetë një strehë e as rrugë tranzitore për këto elemente, dhe do të vazhdojë të punojë me organizatat ndërkombëtarë të sigurisë për të zgjidhur këtë çështje. Presidentja e Kosovës në fund tha se Kosova është në anën e drejtë të historisë dhe se do të mbrojë vlerat e arritura me shumë përpjekje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button