Me paratë e popullit Gruevski shtiret humanist!

Partitë politike nisën më herët fushatat me retorika populiste, tani të njëjtat kanë nisur t’i aplikojnë edhe në terren. Kryeministri Maqedonisë, Nikolla Gruevski, para kamerave ndau banesë për një familje nevojtarësh.

Analistët për Portalb vlerësojnë se Gruevski po e luan rolin e gjithëfuqishmit me paratë e popullit. Dhe se, mënyra se si po e zbaton skenarin e tij Maqedonia po i ngjan shteteve despotike.

“Është metodë e sistemeve despotike. Nëse Maqedonia tenton të jetë demokratike, këto sjellje që impresionojnë një numër të madh të qytetarëve, në fakt duhet të dënohen si akte dhunimit të sistemit demokratik. Edhe përkundër asaj që bëhet fjalë për akt human, mënyra si bëhet praktikisht e dhunon bazën e sistemit. Sepse, kjo shkon në dëm të zgjidhjeve të përgjithshme, probleme që identifikohen nga Kuvendi dhe nga subjekte të ndryshme politike. Në vend që të zgjidhen probleme sistematike si e ka për obligim Qeveria, bëhet vetëm një marketing duke e zgjidhur një rast. Kështu anashkalohet ballafaqimi me problemet reale”, sqaron për Portalb analisti Ibrahim Mehmeti.

Sipas Mehmetit, sikur të kishim media kritike, veprimet e tilla do të cilësoheshin si negative për kryeministrin edhe pse bëhet fjalë për akte humane.

“Këto punë u takojnë të tjerëve jo kryeministrit. Ai duhet të zbatoj ligjet dhe jo të sillet si humanist. Duke pasur parasysh afrimin e zgjedhjeve shihet qartë qëllimi i kryeministrit”, përfundon Mehmeti.

Politikologu Bashkim Bakiu vlerëson se veprime të tilla populiste këtë periudhë do të intensifikohen.

“Duke marr parasysh se gradualisht qëndrimi i kryeministrit në krye të qeverisë, në bazë të marrëveshjes, po shkurtohet aktet e ngjashme do të marrin intensitet. Një politikbërje e mire nuk lejon që në formë individuale t’i zgjidh çështjet por për të mirën kolektive, sepse raste të tilla ka shumë. Por kjo bëhet edhe për të përfituar dhe për të vendosur në pozitë të vështirë dhe në shpresë edhe një masë të gjerë të popullatës që gjenden në situatë të ngjashme ekonomike dhe sociale. E gjithë kjo me qëllim që kjo masë të ngelë peng dhe e agjituar për të votuar partinë në pushtet”, tha për Portalb Bakiu./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button