RDK: Nevzat Bejta, dështon në menaxhimin e borxhit publik

RDK-ja, ka lëshuar një komunikatë lidhur me zhvillimet në mbledhjen e djeshme të këshillit komunal në Gostivar.

“Në mbledhjen e fundit të këshillit të komunës së Gostivarit këshilltarët e RDK-së demaskuan punën antiligjore të udhëheqjes aktuale në dimensionin e borxheve të reja dhe programit spekulativ zhvillimor për vitin 2014”, thuhet në komunikatën e grupit të këshilltarëve të RDK-së, në Gostivar.

Këshilltarja Bukurije Gashi Iseini, theksoi se raporti kuartal i buxhetit për periudhën janar –shtator 2013 manifeston tendencën e përkeqësimit të gjendjes financiare të komunës së Gostivarit në buxhetin bazë dhe në buxhetin e arsimit. 

“Këto rezultate janë vazhdimësi e politikave të gabuara dhe dështake të kësaj udhëheqësie  komunale që u pasqyruan më së miri me zvogëlimin drastik të buxhetit qe u be me rebalancin kur u zvogëlua buxheti bazë për 3,5 milion euro”, thotë këshilltarja e RDK-së, Bukurije  Iseni.

Këshilltarja e RDK-së argumentoi se e veçanta e këtij dështimi është menaxhimi me borxhin publik komunal që është karakteristik dalluese e këtij personi i cili njihet si person që edhe në mandatin 2005-2009 e la komunën buzë bankrotit financiar me borxhin komunal më të madh në vend, borxh i cili në nivelin e mbi 5 milion eurove u paguan nga kryetari komunës Rufi Osmani në mandatin 2009-2013.

Këshilltarja nga radhët e RDK-së  potencoi se ky keq menaxhim me borxhin komunal është pasojë e faktit që në komunë aktualisht zbatohen tendere tërësisht të partizuara, pa konkurrencë reale dhe çmimet e punëve që janë paraprakisht të kurdisura dhe që janë së paku 30-50% më të larta nga periudha paraprake. 

Koordinatori i grupit të këshilltarëve Vesel Memedi, duke diskutuar për çështjen e borxhit të ri dhe të programit zhvillimor për vitin 2014 si një program jocilësor dhe pa informacionin e duhur konstatoi se ky program është një variant i keq i kopjimit që i është bërë raportit të punëve të komunës të mandatit 2009-2013 në pjesën e projekteve vijuese dhe zhvillimore për mandatin 2013-2017 të përpiluar nga RDK.

Lajme të ngjashme

Back to top button