Shpërthimi në Bejrut, numri i të vrarëve rritet në 43, ndërsa i të plagosurve në 239

Numri i të vdekurve nga dy shpërthimet e natës së kaluar që ndodhën në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, është rritur në 43 persona, ndërkohë sipas informacioneve të fundit janë plagosur 239 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftoi Kryqi i Kuq libanez, shpërthimi ndodhi në zonën Dahiya, në kohën kur Parlamenti i vendit diskutonte projekt-ligjin zgjedhor dhe atë të kreditit të shtetit në Bankën Botërore.

Pas shpërthimit, Parlamenti i Libanit ka mbajtur një minutë heshtje, pas së cilës kryetari, Nebih Berri shtyu seancën e Parlamentit.

Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve të Jordanisë, Petra, zëdhënësi i qeverisë së Jordanisë, Mohammed Mumani i ka dërguar telegram ngushëllimi qeverisë së Libanit dhe familjeve të viktimave. Ai shtoi se Jordania gjithmonë dhe në çdo situatë do të jetë me qeverinë dhe popullin e Libanit. Gjithashtu edhe ministri i Jashtëm jordanez, Naser Judeh në rrjetet sociale ka shprehur keqardhjen për atë që ndodhi në Liban.

Sulmin e dënoi dhe ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Philip Hammond. Ai përveç kësaj ka paralajmëruar qytetarët e Britanisë së Madhe të cilët synojnë të udhëtojnë në Liban duke i këshilluar të bëjnë kujdes maksimal.

Dënimi i sulmit ka ardhur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Egjiptit, e cila ka shprehur mbështetjen e saj për Libanin. Në telegramin ngushëllues, qeveria e Egjiptit ka shprehur ngushëllimet e saj për familjet e të vrarëve, kurse të plagosurve u ka uruar shërim të shpejtë.

Akoma nuk dihet shkaku i sulmit, si dhe kush është përgjegjës për të. Megjithatë, ekziston një mundësi që DAESH-i të jetë përgjegjës për sulmin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button