Nuk kaloi ligji për amnisti, debat i ashpër në Kuvend

Iniciativa qytetare e aktivistes për të drejtat e njeriut, Meri Nikollova nga Organizata jo qeveritare “Udar” ka hapur debat të ashpër në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, raporton Portalb.

Nikollova para deputetëve ka shpalosur propozim ligjin për amnistinë dhe iniciativën e nënshkruar nga 11 mijë qytetarë.

“Shtëpitë ku të dënuarit vuajnë 200% të mbingarkuara me të dënuar. Burgjet nuk krijojnë kushte për akomodim, flenë në dysheme pa kushte minimale për higjienë. Ushqimin e sigurojnë nga familjarët. Kualiteti i shërbimeve është në nivel për disa raste që shkon në konton e vet të burgosurve … nuk bëhet risocializimi, kemi trajtim çnjerëzor ndaj të burgosurve. Vetëm 3% vetëm janë të angazhuar me punë”, tha Nikollova, duke shtuar se tentohet të shfrytëzohet çdo 1 metër katror për një krevat.

“Avokati i Popullit në çdo raport ka paraqitur gjendjen e vështirë të burgosurve. Iniciativa qytetare kërkon votimin e ligjit për amnisti, sepse kjo do të sillte edhe sjellje më të mirë te të dënuarit, të cilët do të silleshin më mirë kur do të shohin se ka përfitime edhe për ata”, theksoi Nikollova.

Deputetja Liljana Popovska, nga partia DOM, potencoi kjo iniciativë duhet të mbështetet. “Shpresoj se do te ketë mbështetje, por duhet të kategorizohen ata që duhet të amnistohen”, tha Popovska, raporton Portalb.

Sipas deputetit Orhan Ibrahimi, nga radhët e PDSH-së nuk mund të presim që kjo garniturë t’i amnistojë të burgosurit kur dihet se kjo klasë politike, BDI- LSDM dhe VMRO i ka burgosur të njëjtit.

“Kush i ka porositur këto burgosje? Sa të burgosur vuajnë nga montimet politike. Atmosfera e ndryshimeve që të sillet ky ligj, kur ky pushtet i kriminalizuar ka me ikur nga pushteti. Ju qytetarë  shqiptarë duhet t’i dini këto lojëra të këtyre politikanëve. Rasti Sopot, Monstrum,… janë raste të montuara politike. Ne dimë se janë të pafajshëm, por ata po e vuajnë burgun. Kemi edhe rastin i Rexhail Qerimit, kjo amnisti nuk e përfshinë atë, ndërkaq familjarët e tij e kanë nënshkruar këtë iniciativë”, potencoi Ibrahimi.

“Rasti i Rexhail Qerimit, kjo amnisti nuk e përfshinë atë, ndërkaq familjarët e tij e kanë nënshkruar këtë iniciativë. Veç PDSH ka realizuar amnistinë për shqiptarët, më 2002 dhe 2008”, përfundoi Ibrahimi.

Petre Shilegov, nga LSDM, e vlerësoi iniciativën, sepse siç tha, nevoja për amnisti është e vlerë civilizuese. “Megjithatë LSDM nuk është për amnisti të përgjithshme. Nuk do të mbështesim amnisti për raste të rënda”, tha Shilegov, njofton Portalb.

Ilija Dimovski, deputet VMRO-DPMNE-së, apeloi deputetët që të mos mbështesin këtë ligj. “Me këtë ligj kërkohet amnisti për vepra që kuvendi i ka dënuar- njerëz që kanë dhunuar, kanë vrarë. Ne apelojmë që kjo temë të mos ketë mbështetje, jemi të gatshëm të flasim për jetën dhe kushtet e të burgosurve, por jo edhe t’i japim mbështetje kësaj iniciative.

“Do ta përkrahim këtë iniciativë vetëm për ata që po vuajnë padrejtësisht dhe familjet e tyre. Ne jemi shpresa juaj e fundit për drejtësi. Asnjëherë s’kemi luajtur me ndjenjat e juaja për të fituar poena politike”, deklaroi Bekim Fazliu.

Deputeti BDI-së, Talat Xhaferi retorikën e deputetëve të PDSH-së e emëroi fushatë parazgjedhore. “Sipas fjalimeve nisi kampanja parazgjedhore. Për neve iniciativa e qytetarëve i sheh instrumentet e nevojshme të cilat shteti mundet me i përdorur. Pse këta instrumente nuk merren parasysh?! Disa deputetë premtuan se kur do të vijnë në pushtet do ta bëjnë amnestinë. Ata thanë se BDI ka legjitimuar burgosjet, kujtojë se neve na ka legjitimuar populli. Ata po harrojnë se shumë qeveri kanë rënë, kanë shkuar e këta asnjë zgjedhje se kanë fituar”, tha Xhaferi.

Kuvendi nuk e pranoi propozim ligjin për amnisti në lexim të parë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button