Vdekja e Zejadin Ismailit, humbje e madhe për kulturën shqiptare

Me rastin e vdekjes së muzikologut – Zejadin Ismaili

Me zemërim të madh e pranova lajmin pikëllues për shuarjen nga jeta të pedagogut dhe muzikologut Zejadin Ismaili. Vdekja e tij paraqet edhe vdekje të një pjese të jetës sime, sepse në mozaikun tim jetësor ka qenë i përfshirë edhe portreti i tij, portreti i humanistit dhe i iluministit, i entuziastit dhe i largpamësit, i iniciatorit dhe i edukatorit, i mendimtarit, i shkrimtarit, i shkencëtarit, i institucionit – Zejadin Ismaili.

U mbyllën përgjithmonë perdet e një simfonie të vrullshme, të një shfaqjeje madhështore, të një jete të ngjeshur, përplot të papritura, me shumë kurthe, me shumë mundime dhe përplot suksese. Vdekja e muzikologut të mirënjohur kumanovar me përmasa mbarëkombëtare është humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi.

Njeriu i penës, i fjalës, i këngës, i këshillave, i ideve, njeriu me bagazh të madh njohurish, njeriu me flokë të thinjura për shkak të padrejtësive historike ndaj shqiptarëve autoktonë, njeriu i fisëm dhe guximtari i madh intelektual, do të mbetet përjetësisht në kujtesën e të gjithë atyre që patën mundësi të njihen me të.

Me profesorin e nderuar jam takuar disa herë dhe, përkundër pikëpamjeve të ndryshme mbi aspekte teorike dhe praktike nga fusha e shkencës muzikore, e kam vlerësuar, mbi të gjitha, për komunikimin akademik, për kodeksin e mirësjelljes … për besnikërinë e mendimeve. E donte letërsinë, hiç më pak edhe historinë, e donte folklorin, interesohej vazhdimisht për trashëgiminë tonë të pasur kulturore, e donte këngën … por jo atë të mjellmës, sepse e dinte që kënga e saj është këngë e vdekjes… I qoftë i lehtë dheu!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button