Siria, udhëtimi nga gropa në greminë… A ka ende vend për shpresë?

Konflikti i shpërthyer në Mars 2011 në Siri midis forcave qeveritare dhe  aleatëve të tyre të jashtëm kundër grupacioneve kryengritëse anti-qeveritare (disa prej te cilëve luftojnë edhe midis veti) kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë. Aktualisht rreth 300 mijë njerëz kanë humbur jetën, më shumë se 10 milion njerëz kanë humbur pronat e kanë nevoje për asistencë humanitare. Rreth 5  milionë të tjerë janë shndërruar refugjatë në vendet fqinjë (Turqi, Liban, Egjipt, etj). Më shumë se 700. 000 sirianë kanë arritur në Evrope nëpërmjet detit, dhe 3. 000 të tjerë nuk ja dolen dot dhe u dorëzuan në valët e detit Mesdhe.

Lufta e Sirisë për demokraci filloi në mënyrë paqësore katër vjet më parë, por shpejt u zhyt në luftë civile. në rrezik për t’u mbytur nga daullet e luftës dhe agjendave gjeopolitike, zërat e civileve kerkojne shpetim. Ajo që filloi si një revolucion i qetë në Siri shpejt u bë një luftë ‘proxy’, me mbi 87 aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë. Me imazhet zhgënjyese te bombave, banesave të shkatërruara, atmosferes mbytëse, njerëzve të gjymtuar dhe fëmijëve të vdekur, bombardimet e fundit te Rusisë vazhdojne të zhvendosin qindra e mijëra. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë qenë të shpejtë për të dënuar masakrimet pa dallim te civilëve nga sulmet ajrore të paligjshme ruse.

Ndërkohë në vatrën e luftës as forcat pro-Assadit as kundërshtaret e tij nuk janë në gjëndje të konsolidojnë fitimin e betejave të cilat do të sillnin fitoren afatshkurtë në Siri. Përveç  antipatisë ndaj brutalitetit të Isis, faktorët e tjerë që sjellin përçarjen e forcave të opozitës Siriane janë edhe taktikat, strategjitë dhe qëllimet afatgjata që secili prej tyre ka. Deri në Janar të 2014-ës, forcat më të fuqishme anti-Assad kërkonin rezultate të cilat janë plotësisht në kundërshtim me çka Perëndimi sugjeron për të ardhmen politike në Siri. Militantët Islamikë kërkojnë që të vendosin një lloj sistemi Sunni-Islamik në shoqërine siriane, grupet më të fuqishme që kërkojnë të vendosin ‘Sharriah’ janë Isis dhe Jabhat al Nusra, duhet thënë se dhe shume grupacione të tjera, përfshire dhe disa që kanë marrë asistence perëndimore janë margjinalizuar nga dy grupet më të mëdha.

Forcat qeverisëse po luftojnë në fronte të ndryshme dhe kanë humbur kontroll të pjesëve të mëdha të vendit në tre vitet e fundit, sidoqoftë qeveria e Assadit vazhdon të marrë ndihma të jashtme nga Irani dhe Rusia. Nga ana tjetër forcat e opozitës janë shumë të fuqishme por i mungon uniteti i qëllimit, i komandës dhe uniteti i mbështetjes ndërkombëtare.  Shumë vëzhgues shprehen se më shumë se 75% e opozitës së armatosur kërkon të zëvëndësoj qeverinë e Asadit me një qeveri të bazuar në ligjin islamik, gjithashtu dhe grupet e opozitës Kurde kontrollojnë pjesë të mëdha në verilindjen e Sirisë dhe në të ardhmen mund të kërkojnë pavarësi.

Por ndërhyrja e Rusisë në fund të Shtatorit ndryshoi gjithçka. Putin e refuzoi sugjerimin që Asadi të tërhiqet dhe pasi e ftoi atë në Moskë ai e inkurajoi atë të zhvillojë zgjedhje të parakohshme,dhe nëpërmjet kësaj ai të vërtetohet si lideri legjitim. Por ky propozim i Putin është i paarsyeshëm pasi duke njohur situatën dhe rrjedhjen e ngjarjeve nuk dihet se kush do votojë kundër Assadit, ata qe janë vrarë, ata që janë arratisur, ata që kërcënohen apo ata që i janë dorëzuar Mesdheut? Sigurisht qe raporti Sunni-Alevi ka ndryshuar aty, tashme sekti Alevi i Assadit nuk është më minoritet në Siri.

Nën pretekstin e luftës ndaj Isis-it, trupat ruse po luftojnë gjithë opozitën siriane përfshirë dhe atë të mbështetur nga Perëndimi. Përfaqsuesit ushtarakë rajonalë vazhdojnë të insistojnë se Rusia ka fokusuar 85% të sulmimeve bombarduese në të gjithë opozitën e armatosur kundër Assad-it në vend që të luftojë Isis-in në lindje.

Zgjidhja e konfliktit ështe e nevojshme jo vetëm për shtetasit sirianë por edhe për vendet e tjera fqinjë apo vendet e BE të cilat po përballen me problemin më të madh që koinçidon fill mbas zgjidhjes së krizës greke. Ndërprerja e dhunës kërkon dy hapa të cilat sirianet nuk mund ti arrijnë vetëm:

(1) përfundimi i bombardimeve apo sulmeve ajrore nga regjimi i Asadit dhe aleatëve të tij

(2) negociata mes të gjitha palëve siriane, dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtare. ”

Negociatat janë të nevojshme, dhe nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin apo radikalizimin lindur prej saj. Ata kane nevojë për bisedimet e paqes që të përfshijë të gjitha palët siriane me mbështetjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, është e pamundur që njëra palë të bashkojë Sirinë, pra duhet kompromis nga të gjithë liderët për të ndërtuar të ardhmen nën principet e tolerancës dhe bashkjetesës.

Një sugjerim që qarkulloi së fundmi nga zyrtarët turq për të zgjidhur çështjen e migrimit ishte qe ta ndalonin atë pa filluar ende, pra duke zbatuar një zonë të sigurt brenda Sirisë, ku refugjatët mund të grumbullohen pa pasur nevojë të largohen drejt vendeve fqinjë apo BE-së. Por, disa liderë botërorë, përfshirë kancelaren Merkel dhe presidentin Obama, kanë frikë se plani do të vinte të zhvendosurit në rrezik  për t’u masakruar atje, sidomos duke pasur parasysh vështirësinë e krijimit të një zone ‘ndalim-fluturimi’ brenda në Siri tani që avionët rusë janë në mbështetje të regjimit të Bashar al-Asadit, ata po hynë dhe në Turqi jo më në Siri.

Me pak fjale sugjerimi i zyrtarëve turq ishte një zgjidhje shumë e arsyeshme për Perëndimin dhe vendet fqinjë por për fatin e mire të sirianëve ky propozim nuk u morr parasysh nga Perëndimi pasi te vetmit që do ta pësonin ishin ata vetë, sirianët…

Nga ana tjetër komuniteti ndërkombëtar është akoma i frikësuar nga masakra e më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në atë që supozohej të ishte si një zonë e sigurt në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnjë, dhe prandaj ata tani nuk janë të gatshëm të rrezikojnë një skenar të ngjashëm në Siri. Të martën, António Guterres, komisioneri i Kombeve të Bashkuara për refugjatët shprehu të njëjtat shqetësime:

“Asnjë zonë e sigurt nuk mund të minojë të drejtën për të kërkuar dhe për te pasur azil, gjëja më e keqe që ju mund të bëni është që të ketë një përshtypje të rreme të sigurisë në një zonë ku po operojne shumë aktorë të natyrave të ndryshme”.

Shpresat për një zgjidhje të luftës në Siri janë zgjuar përsëri me bisedimet qe po ndodhin së fundmi në Vjenë, te cilat janë bisedimet më të gjëra për paqe që prej fillimit të luftës, bisedime të cilat kanë bashkuar në një tryezë dhe rivalët, Iran e Arabi Saudite nën orkestrimin e ShBA-ve për të gjetur zgjidhje për njërin prej konflikteve më të rrezikshëm globale ndër dekada. Opozita dhe qeveria siriane nuk janë ftuar në bisedimet e Vjenës, dhe kemi dy fuqi rajonale që nuk po tregojnë asnjë shenjë dëshire për kompromis.

Që prej katër vitesh, Irani nuk ka ndryshuar qëndrim në insistimin që Assadi të vazhdojë të qëndrojë lideri i Sirisë, ndërsa Arabia Saudite në anën tjetër insiston që Assadi të largohet dhe të krijohet një qeverisje provizore e pajtuar nga regjimi aktual dhe opozita. Qëndrimet e këtyre dy shteteve vijnë si rezultat i përkatësisë sektare (sunni-shia) të tyre, por sidoqoftë shpresat që Asadi të pranojë tërheqjen janë shumë të vogla për faktin se nëse ai humb pushtetin atëhere ai smund të jetë një njeri i thjeshtë në vend, dorëheqja e tij është një ‘vetëvrasje’ jo vetëm politike por edhe fizike për  të,  pasi ai do dënohet per krimet qe ka bërë që prej transferimit të fronit nga i ati i tij Hafez al-Asad, dhe me kulmimin e maskrave mbas kryengritjeve për demokraci.

Sekretari i shtetit në ShBA Xhon Kerri, kishte një ton të kujdesshëm mëngjesin e së Premtes kur ju tha gazetarëve  se: “Une kam shpresa se do të gjejmë një rrugëzgjidhje (por) është shumë  e vështirë”.

Para samitit Xhon Kerri deklaroi se ai dhe homologue tij rus Sergei Lavrov janë pajtuar rreth disa hapave që mund të ulin intensitetin e konfliktit. Iniciativa e sekretarit amerikan mund të jetë kryesore nëse keto bisedime dalin sukseshëm por sidoqofte te paktën i mbledhin të gjitha palët për të parën here në të njëjtën tryeze.

Siria, ky vend i mbuluar nga errësira, kerkon të mbushet me frymë mbas 4 vitesh, bombardimet e gjata  kanë marrë shumë jetë njerëzish por nuk marrin dot shpresat e tyre per liri dhe jetë normale. Predhat e regjimit apo grupeve terroriste kanë marrë shumë jetë njerëzish por nga ai gjak i rrjedhur kanë lulëzuar fidanë të rinj që duan paqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button