Leni të qetë të vdekurit

Nuk jam nga ata që ju duhet t’i kthejnë dy gota dhe të bëhen patriotë, e të shqirren me këto vargje të një kënge popullore që të gjithë – pa marrë parasysh se a jeni apo jo dibranë e keni dëgjuar:

“Hajredin Pasha ku e ke lënë ushtrinë

Të gjithë për besë në Dibër mi kan gri

Jo më pak se dymbëdhjet mijë

Kan mbet në istikame (kanale) e në varr skan hy”

Mua më kaplojnë lotët edhe duke e kënduar vetë sa herë që më kujtohet. Se ky emocion më con pas në kohë, atë të stërgjyshërve të mij që ishin pjesë e kësaj lufte ku këtij pashe në nëntor të 1844 i mbetën ushtarët e vrarë dhe të pavarrosur, sepse u përball me trimat dibranë në Radikë dhe në Gjoricë. Se sot për varre flitet më shumë në Dibër sesa për trimëri dhe burrëri. Për varret e vjetra të Dibrës të cilëve një forcë e huaj duke gjetur kolaboratorë të brendshëm tenton t’jua ndërrojë historinë dhe t’i bëjë të vetat. Ah, janë kohë të turbullta! Kur as të vdekurit nuk lihen të qetë.

Është një fuqi e errët, e që vjen nga Anadolli ajo që prekën aty ku s’duhet. Një organizatë me mbiemër “kulturor” por me emër dhe veprim asimilues është ajo që po shqetëson varret, e financuar nga shteti “mik i shqiptarëve” – sic e quajti një ish kryeministër shqiptar që tenton të na shkelë trashëgiminë dhe të na ndërrojë historinë dhe memorjen. Një organizatë e cila ka gjetur pikërisht te varrezat e vjetra të Dibrës, mjetin për të futur hundët aty ku s’duhet dhe për të proklamuar edhe Dibrën djep të otomanizmit të rikthyer. Pikërisht Dibrën, “kërthizën” e Shqiptarisë sic e quante Barleti, krahinën ku lindi Skënderbeu, ku lanë kokën shumë pashallarë otomanë, qytetin më antiturk të këtyre anëve, aty ku kurrë nuk u mësua as nuk u fol turqishtja.

Pikërisht këtu, ku qëndroi i palëkundur shqiptarizmi përgjithmonë dhe ku nuk depërtoi islamizmi otoman. Është pikërisht kjo organizatë e cila tenton që varrezave dibrane t’ju mveshë mbiemër. Një mbiemër të cilin askush nuk e njeh, as nuk e pranon në qytet. Tenton t’ia mveshë mbiemrin “otoman” asaj që e kemi të shenjtë, nderin dhe respektin për të vdekurit. Sepse janë e kaluara jonë, janë historia e një qyteti, e një kombi; janë shtëpia e fundit e shumë prej atyre që kanë derdhur gjak e djersë për shqiptarizëm, dhe që nuk kanë pranuar otomanizëm.

Janë të njohura pretendimet turke, erdoganiste do t’i kisha quajtur për rimëkëmbjen e një perandorie otomane që ka kohë që ka vdekur – shyqyr Zotit! Dhe akoma ka shumë “shqiptarë” që akoma nuk kanë gjetur identitetin e tyre të vërtetë; shqiptarë të tillë që do të ishin shumë të lumtur nëse kjo ide megalomane do të realizohej. Të tillë kanë gjetur edhe në Dibër, persona që kanë ndikim politik përbrenda qarkut të tyre të veprimit të cilët kanë treguar gatishmëri për të ndihmuar në realizimin e planit të kësaj organizate për të vendosur gurrethemelët e një asimilimi proturk në Dibër në një të ardhme jo shumë të largët. Ndoshta edhe pa e ditur vetë se në c’telashe futen, këta njerëz sot janë bërë instrumenta që luajnë në muzikën e dikujt tjetër. Muzikë kjo që nuk tingëllon shqip, përkundrazi është degjeneruese për interesat e shqiptarëve.

Ju bëj thirrje të gjithë te interesuarve, të lënë të qeta varret. Ato kanë qenë dhe do të mbeten shqiptare. Për një gjë të tillë do të përkujdesen intelektualët dhe qytetarët dibranë, për këtë të jeni të sigurtë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button