Cili është faji i xhamisë në Kriva Pallankë?

Atë ditë kur flitej për zgjedhje të parakohshme, çdo qytetarë në Maqedoni, ka mundur ta parashikojë se do të fillojnë provokimet kombëtare dhe fetare, rrahjet, djegiet dhe fyerjet, me qëllim që të gjitha palët, ta fitojnë përkrahjen e palës së tij.

Sinqerisht, kam menduar se do të fillohet me rrahjen e fëmijëve dhe provokimin e shqiptarëve nëpër autobus, në rrugë dhe në lagjet ku jetojnë maqedonasit, por….

Edhe xhamitë nuk shpëtuan nga dora e keqdashësve dhe provokatorëve.

Xhamitë, ku çdo krijesë që futet në të, sigurohet. Ku çdo person që kërkon strehim në të, strehohet. Në xhamitë ku mësohet të respektohen ithtarët e feve tjera dhe nuk guxohet tu imponohet me dhunë feja Islame.

Në xhamitë, ku pesë herë në ditë bëhet thirrje “Ejani në shpëtim”, ku myslimanët i bashkojnë radhët dhe i përkulen Zotit. Në xhamitë ku predikohet si të kujdesemi për jetimët dhe të varfrit, qofshin të një feje apo kombi tjetër.

A thua edhe çfarë mbeti pa mos u keqpërdorë në këtë shtet? A thua ky është fillimi apo fundi i këtij tmerri dhe terrori psikik dhe fizik që bëhet kundër një feje tjetër? Sikur të ishte fundi, çdo myslimanë do të bënte thirrje për durim dhe përmbajtje nga çdo provokim, por para çdo cikli zgjedhor, ne e kemi fillimin tjetër, një provokim tjetër, një incident dhe tentim për konflikt.

Unë jetoj në Çair, ku në mesin e 99% shqiptarëve mysliman, gjenden kisha maqedonase. Nuk do të flasim se çfarë ka ndodhur, por pyesni priftin dhe maqedonasit që shkojnë në atë kishë, a janë provokuar ndonjëherë, a është djegur apo thyer diçka brenda saj, a janë kushtëzuar se dikujt i pengon këmbana e kishës në një atmosferë tjetër?

Përkundrazi, na kanë mësuar që mos të futemi brenda, as mos të përzihemi me ta, e as mos t’i provokojmë të tjerët. Na kanë edukuar me ajetin kuranor “Nuk ka dhunë në fe” dhe me hadithin profetik “Jam dërguar si mëshirë për njerëzimin”, ku askujt, asgjë nuk i imponohet me dhunë.

Kjo nuk është hera e parë që në Maqedoni, demolohen ose digjen xhamitë. Para disa viteve ndodhi edhe në qytete tjera. Qeveria e Maqedonisë e dinë qartë se kush ka shkuar dhe në cilën anë lufton në Siri, por asnjëherë nuk ka informacione të sakta se kush qëndron pas këtyre krimeve dhe kush janë aktorët e shumë rasteve të tilla që kohëve të fundit shtohen çdo ditë e më shumë.

Nuk u gjetën sulmuesit e nxënësve shqiptarë, nuk u gjetën kush e djeg flamurin e shqiptarëve në emër të kryqit, video e cila që moti është në Youtube, nuk u gjetën sulmuesit e grave dhe fëmijëve në qendër të Shkupit, nuk u gjetën sulmuesit nëpër autobusët e qytetit, por edhe demolimi i xhamisë në Kriva Pallankë, ende mbetet e panjohur.

Përderisa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, mban konferenca për shtyp se si të mbrohen të krishterët shqiptarë të Rekës së Epërme, sulmohen muslimanët shqiptarë në çdo anë. Arrestohen, provokohen dhe sulmohen në çdo anë, pa qenë fajtorë dhe pa e provokuar askënd.

Ku mbetën “miqtë” e Rexhep Tayyip Erdoganit? A nuk ishit ju që shiteshit më “katolik se papa” ditën kur në Turqi i fitoi zgjedhjet?

O ju njerëz, nuk janë shqiptarët musliman që provokojnë, ngacmojnë dhe sulmojnë. Përkundrazi, muslimanëve nuk u lejohet xhami në lagje ku janë pakicë. E kundërta ndodh me maqedonasit në lagjet ku muslimanët janë shumicë, ku në Saraj askush deri më tani nuk e ka demoluar kishën, ku në Veri të Shkupit sot e kësaj dite gjendet kisha dhe askush nuk ka provokuar, ku në lagjen Çair të Shkupit, maqedonasit shkojnë çdo javë për t’i kryer rritet fetare, pa u provokuar dhe sulmuar nga askush.

O ju njerëz, ndaluni, ngase shtypja krijon revolt dhe revolti krijon dhunë, ndërsa dhunën nuk ka më kush e ndalë. A dëshironi ta krijoni dhunën dhe kopilin e destabilizimeve t’ua jepni shqiptarëve musliman?! A është ky qëllimi i prononcimeve tua për një “bashkëjetesë” mashtruese?

Duart larg nga objektet fetare dhe mos prekni në bomba të montuara për përfitime politike. Mos e përzini fenë në humnerën që jeni futur, dilni pa provokuar dhe pa sulmuar të pafajshmit, fundja, nuk janë ata fajtori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button