Kosova e papërgatitur ta padisë Serbinë për gjenocid

Ekzistojnë shumë të dhëna që dëshmojnë për gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë, por përkundër kësaj dhe zotimeve se do të ngrihet një padi kundër Serbisë në organe ndërkombëtare të drejtësisë një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në shkurt të vitit të kaluar ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tani nga pozita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, kishte deklaruar se Kosova do të ngre padi ndaj Serbisë për pagimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në periudhën 1998-99. Ai pati deklaruar se Kosova do ta dërgojë këtë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por që nga ajo kohë nuk dihet se është bërë diçka në këtë drejtim, transmeton KosovaLive.

KosovaLive ka pyetur në Ministrinë e Drejtësisë përse ende nuk është ngritur një padi kundër Serbisë në organe të drejtësisë ndërkombëtare për krime lufte dhe a është kjo ministri ajo që do të duhej të printe në këtë drejtim dhe të krijojë kushtet ligjore, nëse ato nuk ekzistojnë për një padi të këtillë. Mirëpo, përkundër premtimeve se do të merret përgjigje, ajo nuk u mor.

Përgjigje nuk ka kthyer as kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ndonëse ishte ai që vitin e kaluar kishte deklaruar se do të ngrihet padi.

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, thotë për KosovaLive se edhe pse më herët nuk ka pasur fakte të mjaftueshme për një gjë të tillë, Kosova tani ka prova konkrete ta padisë Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe me këtë nuk duhet të bëhet më propagandë.

“Tash kemi mbërri në një fazë kur ka prova konkrete të mjaftueshme në bazë të të cilave ka mundësi që të ngritet një padi kundër Serbisë te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid në Kosovë. Prova apo fakti i parë i pakontestueshëm është dëbimi i më shumë se 800 mijë apo 1 milion njerëzve brenda 1 muaji gjatë kohës së bombardimeve dhe në definicionin e gjenocidit hyn edhe përndjekja e një popullate pjesëtar të një grupi etnik në masë të madhe nga pushteti.

Elementi tjetër është që ka fakte të mjaftueshme që popullata shqiptare posaçërisht gjatë tre muajve të pranverës së vitit 1999 nga pushteti serb është sjellë në gjendje të vështirë në aspektin e kushteve jetësore e gati në pamundësi që të mbijetojë. Edhe kjo është element i gjenocidit. Së fundi kemi prova të mjaftueshme për vrasje të popullatës shqiptare me qëllim të shfarosjes e që është elementi i tretë që hyn në formulën e gjenocidit. Vetëm nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara pas luftës janë dhënë të dhëna se janë vrarë për mbi 13 mijë shqiptarë në Kosovë gjatë asaj fushate”, thekson ai.

Vllasi vlerëson se Kosova është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe për këtë nuk ka nevojë për krijimin e një baze ligjore të posaçme ku definohet e drejta jonë për të ngritur një padi të tillë.

“Thënë shkurt, ka elemente të mjaftueshme që padia të përgatitet. Kosova ka të drejtë t’i drejtohet një gjykate ndërkombëtare në aspektin e legjitimitetit aktiv të shtetit tonë e pastaj ajo i kthen një përgjigje një kërkese të tillë”, vlerëson Vllasi.

Edhe eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, deklaron për KosovaLive se fajin që nuk është ndërmarr deri tash një hap i tillë e ka politika dhe qeveritarët që asnjëherë nuk janë interesuar duke qenë tolerues ndaj Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

“Politika jonë e të gjitha qeverive edhe e kësaj të tanishmes dhe koalicionit në pushtet fatkeqësisht është konformiste dhe sillet në mënyrë oportuniste dhe inferiore që do të thotë nuk është e interesuar sa duhet për këtë punë për shkaqe të panjohura, por edhe për shkak të një qëndrimi më fleksibil dhe më tolerues ndaj Serbisë dhe Bashkimit Evropian kinse në funksion për të bërë procesin pajtimit, e në fakt e lënë pa e denoncuar një gjenocid të tërë. Krimi i gjenocidit ka ndodhë si krimi më masiv dhe më makabër që mund t’i ndodhë një vendi me qëllim të zhbërjes, zhdukjes dhe shfarosjes së një populli.

Qeveritë tona nuk janë sa duhet të përgjegjshme sepse është dashur të parashtrojnë padi penale në Hagë për gjenocidin e kryer dhe është dashur ta paraqesin edhe në Strasburg për pasurinë që është shkatërruar në institucione. Kjo është mungesë e përkushtimit dhe e përgjegjësisë së qeverive tona që nga e para deri më tash”, thekson Baraliu.

Ai shton se Ministrisë së Drejtësisë i takon përgjegjësia, gjegjësisht iniciativa për të ndërmarrë hapin e parë, por edhe qeverisë sepse pa një vendim qeveritar i cili duhet të votohet nuk mund të merret vendimi i plotfuqishëm.

“Padinë mund ta bëjnë edhe qytetarët, mund ta bëjnë individ por gjithsesi kur e bënë qeveria për gjenocid është peshë tjetër. Siç e ka bërë qeveria e Bosnjës ndaj Serbisë, padinë, është dashur patjetër që ta bëjnë edhe institucionet qeveritare të Kosovës. Prandaj është më tepër përgjegjësi dhe kompetencë e qeverisë e cila si organ ekzekutiv i një vendi do të duhej ta merrte një vendim të tillë sa më parë aq më tepër, dihet se ish-kryeministri Hashim Thaçi në dy mandate ka premtuar se do të ngritët padi”, deklaron Baraliu.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, nënvizon se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë janë evidente pasi që ka pasur shumë masakrime, vrasje, zhdukje dhe të gjitha këto janë të pamohueshme e këto të dhëna ka për qëllim t’i mbledhë, t’i sistemoj dhe t’i botojë Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Ai pohon për KosovaLive se sa i përket padisë ndaj Serbisë kjo do të merrte konotacion politik andaj një gjë e tillë nuk është e mundur në situatën aktuale pasi siç thotë do të ndikonte në ndërprerjen e bisedimeve me palën serbe dhe bllokimin e këtij procesi.

“Në momentin në të cilin gjendemi ne, nuk është koha e duhur të ndodhë një gjë e tillë, sepse do të mund të ndikonte në bllokimin e procesit të bisedimeve të organizuara nga BE dhe komuniteti ndërkombëtar.

Serbia nuk mund të paditet si shtet,sepse sipas të drejtës ndërkombëtare përgjegjësia është individuale dhe tash edhe në të ardhmen kjo duhet të bëhet në mënyrë individuale pra një, dy ose tre persona me emër e mbiemër mund të paditen por Serbia nuk mund të paditet si shtet, sepse kanë ndryshuar gjërat në konventat ndërkombëtare ku nuk ka më përgjegjësi kolektive por individuale. Kurse për kompensimin e dëmeve dhe shkatërrimeve që janë shkaktuar gjatë luftës mund të paditet shteti, por kjo është çështje materiale, pasurore, civile, etj. Pra në aspektin penal nuk mund të paditet si shtet për shkak se nuk e lejon e drejta ndërkombëtare dhe statusi i kësaj gjykate penale që është themeluar”, thotë Salihu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button