“Nëna dhe Fëmija” letër të hapur Teuta Arifit: Banorët e Tetovës po helmohen!

Lëvizja “Nëna dhe Fëmija, i shkruan letër të hapur kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në lidhje me ajrin e ndotur në qytetin e Tetovës dhe sipas tyre, mos angazhimin e kryetares për ta përmirësuar gjendjen, njofton Portalb.

“Lëvizja “Nëna dhe fëmija” e cila tani më është e njohur për Ju ashtu edhe për opinionin publik si lëvizje qytetare e një grupi nënash nga Tetova, të cilat kemi shprehur pakënaqësinë tonë rreth ndotjes alarmante të ajrit në Tetovë disa here me radhë, nëpërmjet aktiviteteve dhe protestave të ndryshme. Kësaj radhe Ju drejtohemi me anë të kësaj letre të hapur që në mënyrë urgjente të ushtroni autoritetin Tuaj si kryetare e banorëve të qytetit më të ndotur në botë, të ndikoni në përmirësimin urgjent të situatës që mbisundon në Tetovë. Ju këtë ua keni premtuar banorëve, të cilët ju besuan votën juve dhe platformës tuaj politike të shpalosur gjatë kampanjës parazgjedhore.
Jemi të vetëdijshme që Ju si individ dhe si institucion do të tentoni të amnistoheni me argumentin se jeni të pafuqishëm për të vepruar kundrejt ndotësit më të madh dhe morbid të qytetit tone, duke thënë se disa here radhazi keni elaboruar pamundësinë tuaj institucionale të vëni në funksion mekanizma të ndryshëm ndaj presionit për detyrim të vendosjes së filtrave në fabrikën famëkeqe Jugohrom. Por e nderuara kryetare, gjithë kjo nuk do të thotë se duhet ndejtur duarkryq ndaj ajrit të ndotur me prezence të grimcave PM10 deri në nivel 830µg/m3 regjistruar më datë 03.11.2015 si dhe 745 µg/m3 me date 4.11.2015.
Duke mos dashur që të keqkuptohemi se vetëm kritikojmë dhe kërkojmë llogaridhënie, ne nënat, juve personalisht por tani si nënë, institucionit që përfaqësoni si dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të ju dëshmojmë se ekziston një mundësi që Ju mund ta realizoni, pa miratimin e qeverisë dhe të ndihmoni pak sa në zbutjen e gjendjes alarmante. Kjo ka të bëjë me një premtim të dhënë nga ana Juaj në takimin me anëtare të “Lëvizjes Nëna dhe Fëmija”, të mbajtur në ambientet e Komunës së Tetovës, më datë 02.02.2015. Asokohe Ju, elaboruat aktivitetet të cilat janë ndërmarrë dhe aktivitetet që planifikonit të ndërmerren në kuadër të Komunës së Tetovës, mes tjerash ishte edhe furnizimi dhe larja e qytetit me Acetat Kalcium-Magneziumi. Kjo përzierje, sipas jush ka aftësi të mos lejojë ngritjen në ajër të metaleve të rënda me çka grimcat PM10 do ngelin në tokë, që kjo të jetë edhe më interesantë Ju thatë se të njëjtën e keni të planifikuar në buxhetin për vitin 2015, por që do e aplikoni në kohërat më të thata, kur nuk ka të reshura shiu ose dëbore, sepse vetëm në ato kushte klimatike kjo përzierje paska efekt më të madh.
Ju rikujtojmë kryetare, që gjatë kësaj jave ndotja e ajrit ishte alarmante, por nga ana tjetër koha ishte me diell, me thatësi dhe kishte kushte të përkryera për të larë qytetin me këtë përzierje substancash! Por Ju nuk ndërmorët asgjë rreth zbutjes sadopak të ndotjes së ajrit që arriti vlera kulminante nga helmimi I qartë që na shkakton haptazi fabrika morbide dhe famëkeqe Jugohrom.
Ne nuk na intereson shkaku apo rrethanat pse nuk e keni mbajt këtë premtim, me rëndësi është se të gjithë së bashku ne, Ju dhe të gjithë banorët e Tetovës – votuesit tuaj dhe taksa pagues të këtij shteti, dita ditës HELMOHEMI!
Sidoqoftë, Ne ju bëjmë apel që, përderisa Qeveria e Republikës së Maqedonisë vazhdon të lejojë helmimin masiv të qytetarëve të kësaj Komune, Ju si kryetare përgjegjëse për banorët e Komunës që ju drejtoni, me urgjencë të filloni aplikimin e larjes së rrugëve të qytetit me substancat e lartpërmendura si minimum i asaj që pozita dhe autoriteti i Juaj ua mundëson. Për këtë NUK ju duhet miratim i qeverisë! Mënyra se si do e realizoni atë dhe parakushtet për realizim ju takojnë juve ti zgjidhni”, thuhet në letrën e hapur të Lëvizjes nëna, drejtuar kryetares së Komunës së Tetovës Teuta Arifit, njofton Portalb.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. 1 vit, 365 ditë pas shoqërimit dhe selfie-ve nëpër protesta , ju kujtua ku “fshehet lepuri” ? E ani de me mire vonë se kurrë; )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button