Qeveria tërheq nga Parlamenti ligjin e burgut për bizneset

Pas reflektimit, tërheqjes dhe autokritikës së Edi Ramës për aksionin kundër bizneseve të vogla, qeveria duket se ka tërhequr nga Parlamenti paketën e masave penalizuese. Bëhet fjalë për ndryshimet në Kodin Penal, ku parashikohen masa drastike për bizneset që nuk lëshojnë kuponin tatimor, fshehin të ardhurat apo nuk deklarojnë numrin e sakë të punonjësve.

Edhe pse ndryshimet në kod janë miratuar që javën që shkoi, projektligji nuk është futur as sot në seancë plenare, ndërkohë nga ana tjetër qeveria ka kërkuar shqyrtim me procedurë të përshpejtuar të ligjit për pronat. Më 28 tetor u bë miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Pritej që ai të votohej në seancën plenare të 29 tetorit, por nuk ndodhi aspak kështu. Ndërkohë, dje, Kuvendi ka bërë publik rendin e ditës së diskutimeve të sotme në seancë plenare dhe paketa e propozuar nga qeveria nuk është futur sërish në rend. Duket se qeveria është tërhequr në heshtje nga ashpërsimi i masave ekstreme. Një gjë e tillë u duk që gjatë diskutimit të ndryshimeve në kod në Komisionin e Ligjeve.

Qeveria kishte propozuar burg për këdo që nuk lëshonte kuponin tatimor, por u tërhoq në momentet e fundit, duke e lënë burgun si alternativë të dytë, pasi fillimisht mund të aplikohet vetëm gjobë. Ndërkohë që gjatë dy ditëve të para të kësaj jave u pa se kryeministri Rama ishte penduar për masat ekstreme, duke lehtësuar biznesin e vogël nga taksat. Ende nuk dihet se kur do të miratohen ndryshimet në Kodin Penal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button