Tërnava, letër vendeve islamike: Ndihmojeni Kosovën për anëtarësim në UNESCO!

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava i ka dërguar letër autoritetit më të lartë fetar në Egjipt, shejhul Az’har-it, hirësisë së tij, Ahmed Muhamed Ahmed et-Tajib,të cilit i ka kërkuar që të përdorë autoritetin e tij te qeveria e Egjiptit për ta përkrahur pranimin e Kosovës në UNESCO.

Siç bëhet e ditur nga një njoftim i Bashkësisë Islame të Kosovës, në letrën drejtuar Shejhul Az’harit, myfiu Tërnava ia rikujton të kaluarën e Kosovës, si dhe gatishmërinë e vendit tonë për të qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare.

“Kosova është e gatshme dhe ka të gjitha kapacitetet që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në forumet dhe institucionet ndërkombëtare. Për ne pranimi në UNESCO është i një rëndësie të veçantë, sepse do të përfitonim përvojën, përkrahjen dhe mbështetjen për trajtim, ruajtje dhe promovim të trashëgimisë sonë shekullore, e cila më së miri shpreh dhe manifeston vlerat qytetëruese të popujve tanë. Ju lutem, i nderuar shejh, që të përdorni autoritetin tuaj te qeveria e Egjiptit, për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, më 9 nëntor 2015”, ka shkruar Myftiu Tërnava.

Sipas njoftimin në fjalë, po me letër për përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, myftiu Tërnava i është drejtuar edhe sekretarit gjeneral të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ijad Medeni, nga i cili po ashtu ka kërkuar përdorimin e autoritetit të tij te shtetet anëtare të Konferencës Islamike për ta përkrahur dhe mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESKO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button