“Civil” fton të gjithë të bëhen gazetar qytetar

Organizata joqeveritare “Civil” ka filluar seancat e saj trajnuese për foto dhe videoaktivistë me moton “Bëhu gazetar qytetar!” ku si qëllim kryesor kanë dokumentimin me fotografi, video, audio ose fakte të tjera, të rasteve ku vërehet shkelja e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të votuesve. Trajnimi ka karakter nacional, filloi në Shkup dhe do të vazhdojë edhe në qytetet tjera të Maqedonisë si Veles, Manastirë dhe Strumicë dhe gjithsej do të përfshihen rreth 120 aktivistë.

“Bëhu gazetar qytetar!” - Xhabir Deralla
“Bëhu gazetar qytetar!” – Xhabir Deralla

Kryetari i OJQ “Civil”, Xhabir Deralla për Portalb tha: “Supozoj që këto do të jenë 120 video dhe fotoaktivistë, aktivistë në kuptimin më të gjerë të fjalës të cilët do të sjellin një kualitet të ri në diskursin publik në Maqedoni dhe që do t’i shqyrtojnë akoma më thellë të gjitha politikat dhe praktikat që janë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe veçanërisht, të drejtat e votuesve. Trajnimi është i hapur për të gjithë qytetarët e moshës madhore të Republikës së Maqedonisë që dëshirojnë të jenë video/fotoaktivistë ose aktivistë në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe që dëshirojnë të kontribuojnë diçka për demokracinë e vendit tonë. Nuk ka kritere ose kushte të veçanta. Duke parë punën që bëmë që në seancën e parë të këtij trajnimi, vlerësoj që ky do të jetë një projekt shumë i suksesshëm.” – tha Deralla

 

Foto dhe videoaktivistët, në çdo kohë, mund të dërgojnë materiale nga aktiviteti i tyre, nga momentet kur ata vlerësojnë se në një mënyrë ose në një tjetër janë shkelur normat e demokracisë, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në veçanti të drejtat e votuesve deri në realizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Materialet duhet të shoqërohen edhe me një përshkrim të shkurtër që do të sqarojë kuptimin e tyre dhe më pas do të shqyrtohen nga “Civil”. Çdo muaj do të jepen nga pesë shpërblime për materialet më të mira që do të arrijnë shumën deri 110 dollarë.

“Civil” gjithashtu ka të hapur edhe faqen në të cilën të gjithë (edhe në mënyrë anonime) mund të dërgojnë materialet e tyre ku vlerësojnë se janë shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut www.zgjedhjetelira.info.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button