Politikajt pa integritet moral, degraduan shtetin e Kosovës! 

Asaj çfarë është duke ndodhur në skenën politike të vendit, nuk e di çfarë përkufizimi tjetër do t’i shkonte, përpos “imoralitetit politik”. Politikajt në njërën anë thirren në emrin e popullit, ndërsa në tjetrën punojnë për interesat e tyre personale.

Politikajt sa më shumë thirren dhe sa më të zëshëm janë “në emër të popullit”, aq më mëkatar janë ndaj tij. Imoraliteti i kastës aktuale politike kosovare sikur i ka kaluar të gjitha limitet.

Nga moshë e fëmijërisë më ka rënë të dëgjojë thënien e pleqve; “gjysmë mësuesi të lenë pa shkollë, gjysmë hoxha të lenë pa fe, gjysmë mjeku ta shkatërron shëndetin…”

Për më tepër se thënie ishte kjo një metaforë e përcjellë ndër vite dhe dekada, e cila shërbente për luftimin e dukurive negative të shoqërisë, por që i shkon për shtati edhe aktualitetit të sotëm politik në vendin tonë.

Jo vetëm që kemi mësues, profesor, akademik dhe mjek gjysmak në profesionin e tyre,…kemi edhe politikaj, përveçse gjysmak në profesionin e tyre, janë pa integritet moral, të cilët me qëllim kanë devijuar profesionin e tyre, duke përfituar nga pozicionet e tyre partiake dhe shtetërore,  janë  shndërruar nga politikaj në biznesmen të pangopshëm me djersën dhe gjakun e qytetarëve të vendit të vet!
Pasurimi i shpejtë dhe marramendës i një kaste politike karshi një popullate pothuajse skajshmërish të varfër është treguesi më i mirë i imoralitetit politik dhe njerëzor të tyre.

Të fortit e politikës i diktojnë të gjitha “rregullat”  e lojës në vend, përfshirë këtu edhe ato të organit ligjvënës në vend siç është Parlamenti i Kosovës.

Tashmë kemi hyrë në muajin e dytë të krizës institucionale, ska dyshim se dëmi politik i Kosovës për këta muaj të bllokadës parlamentare është i madh, por shumëfish më i madh është dëmi që i shkaktoi vendit kjo klasë e papërgjegjshme politike në tetë vitet e fundit, e në veçanti këtyre viteve të fundit përmes bisedimeve me Serbinë,  të cilat si konsekuencë kanë bartjen e pasojave afatgjata si në planin e brendshëm politik, (Asociacioni i komunave serbe) ashtu edhe në atë të jashtëm, të kthimit të besimit në faktorin ndërkombëtar, në aspektin e përfitimit të mbështetjes politike dhe financiare për rimëkëmbjen e vendit nga gjendja e rënduar politike dhe socio-ekonomike.

Kështu me bllokada, apo më mirë do të thoja me ndërskamca politike që po i shkaktojmë vetvetes i ka vërtetuar thëniet e armiqve tonë; “shqiptarët nuk janë të zotët të mbajnë shtet…”“Zënkat” e politikanëve në parlamentin e Kosovës, çdo ditë e më shumë po i qesin në shesh të palarat, imoralitetin dhe hipokrizinë e klasës politike.

Heqja e maskave njëri-tjetrit ua ka bërë të qartë opinionit publik, se këtu nuk bëhet fjalë për ndryshime pozitive, por vetëm për mashtrim, për marrje të pushtetit dhe vazhdim të qeverisjes me avazin e vjetër të pasurimit të një kaste të “re” politike në kurriz të qytetarëve të vendit.Nga loja e pandershme e kësaj kaste politike, është popullata ajo që duhet të nxjerrë mësimet e duhura, që të mos i përsërisë gabimet nga e kaluara.

Para se të votojnë për subjektin apo kandidatin të mendohen një herë mirë, të mos mashtrohen nga premtimet boshe, nga ofertat parazgjedhore,…por të bazohen në programet politike dhe integritetin e kandidatëve, traditën atdhetare dhe pastërtinë politike të tyre.

Pas sharjeve e fyerjeve që ndodhën në seancën e fundit të kuvendit, dëgjuam për tërheqje të fjalëve fyese nga ana e kryeparlamentarit dhe disa deputetëve të tjerë.

Në  situatën kur kaosi, mjegulla dhe erësia kanë përfshirë institucionet publike, tërheqja e deklaratave nxitëse dhe fyese nga zyrtar të lartë të skenës politike do të ishte një sinjal i mirë dhe një fije shprese për normalizim të situatës tensionuese mes dy blloqeve politike të barrikaduara përballë njëra-tjetrës në kuvend.

Mirëpo, tërheqja nga deklaratat ofenduese dhe nxitëse për konflikt, duhet të vjen si shprehje e sinqertë e një akti moral e jo si rezultat i presionit politik. Zotimi i qeveritarëve para opinionit vendor, për rishikimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë në Bruksel, rishikimi e demarkacionit me të gjithë fqinjët, përveçse do t’i hapte rrugë dialogut të brendshëm politik, do të reflektonte besim tek opozita dhe shpresë tek qytetarët e vendit,…njëherit, kjo do të ishte garanca më e fuqishme për stabilitet politik jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin e Ballkanit.

Lënia mënjanë e inateve personale dhe ambicieve të sëmura për pushtet do të qonte në normalizimin akoma më të shpejtë dhe  të qëndrueshëm të situatës, do të krijonte kushte optimale për gjetjen e zgjidhjeve afatgjate politike për vendin. Tërheqja e njerëzve të mëdhenjtë para situatave konfliktuoze nuk vjenë asnjëherë si rezultat i dobësisë, frikës apo nënshtrimit, por gjithmonë tërheqja e tyre nënkupton largpamësi politike, guxim dhe mençuri njerëzore.

Përballë kësaj sfide ndodhen të gjithë aktorët politik, pa dallime, pushtet dhe opozitë, lider partiak dhe kuvendar (deputet). Para së gjithash reflektimi pozitiv i takon shumicës parlamentare, pastaj opozitës, por edhe deputetëve me bagazh të lartë intelektual dhe politik. Andaj, në rast të dështimit përballë përgjegjësive sfidave që ka përpara klasa politike e vendit, përgjegjësia u bie të gjithëve sipas hierarkisë politike, nivelit intelektual dhe kombëtar, pavarësisht pozicionimit aktual që mbajnë, pushtet apo opozitë qofshin ata.

Politikajt pa integritet moral, janë gjysmak, e shkatërrojnë shtetin!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button