Mëshirona o Zot, nga kjo politikë e politikanët e mosmishërimit!

Në të gjitha vendet moderne, shteti ka një rol të pa diskutueshëm, e madje shpesh parësor në aktivitetin social-ekonomik. Duke u bazuar në vitet e pasluftës, mund të themi se shteti dhe qeveria vazhdimisht me politikat e tyre kanë ndikuar në shumë aspekte të jetës sonë.

Politika, si mjet, ndërmjet të cilave pushteti përdoret për të ndikuar në qëllimet dhe përmbajtjen e veprimtarisë qeveritare, mund të shtrihet edhe jashtë vet institucioneve shtetërore, sot është bërë aq e urryer duke ndarë raporte mes njerëzve,duke ushtruar trysni për të shkatërruar vet shtetndërtimin.

Në Kosovë, politika është superlativja e vendit,thuajse çdo institucion është politizuar deri në atë masë, sa e drejta e qytetarëve nuk merret në konsideratë fare. Derisa në botë politika është mjet i të pasurve për të përmirësuar jetesën e një shteti,tek ne ndodh e kundërta, ajo është bërë mjet në duart e të varfërve për t’u pasuruar brenda natës.

Por çfarë ndodhë sot realisht me funksionimin e gjithë kësaj?. Weber ka dhënë një shembull në leksionet e tij “Politika si profesion”, duke bërë ndarjen e politikanëve të rastit dhe politikanëve krahas punës. Gjithashtu e thekson që ka dy mënyra për të bërë politikë: të jetosh nga politika dhe të jetosh për politikën. Të parët janë ata që lartësojnë idetë,synimet e tyre në aspektin e brendshëm,kurse personat që jetojnë për politikën shikojnë si të përfitojnë të ardhura sa më të shumta.

Në sistemet demokratike është populli ai që ka frenat në dorë, ndërsa tek ne lidershipi është në krye, por sa fillojnë fushatat zgjedhore, manipulojnë me premtime e gënjeshtra popullsinë, ose më saktë votuesit, shumicën e këtyre premtimeve nuk i  mbajnë dhe si rrjedhojë nuk i realizojnë, shikojnë interesat e  tyre personale,duke harruar ata që i votuan dhe që I zgjodhën për të qenë aty.

Ky lloj sitetmi dhe funksionimi I klaneve politike ka ndikuar vazhdimisht në përkeqësimin e situatës. Një klasë e  shoqërisë janë ngritur (izolohen në parajsën e tyre,me vila, makina luksoze), kurse pjesa më e madhe e qytetarëve kanë mbetur në mëshirë të jetës dhe të pa shpresë. Sllogani, “Nëse nuk je në parti nuk gjen dot as punë”, është bërë i diskutueshëm në çdo temë debati social. Ose nëse nuk ke dike në pushtet,të mbyllen dyert dhe nuk mund të depërtosh askund.

Vërtet është dëm i madh dhe përbën edhe krim ky realitet i hidhur,në vendin ku frymojmë për çdo ditë, ku paaftësia,hajnia dhe injoranca kanë marrë frenat e drejtimit të punëve dhe qeverisin shtetin dhe shoqërinë tonë. Është mjerim,kur blihet dija me ryshfet, blihen vende pune, injorojnë njerëz me  kapacitet në profesionet e tyre. Është vërtetë krim,ku njeriut i mungon liria e veprimit, ku jeta varet nga parti politike. Këtu ecet me parimin që i gjejnë njeriut punë dhe jo punës njeriun e duhur. Në vend të progresit, shohim regres.

Është krim kur shkatërrohet inteligjenca e vërtetë, duke e   dëbuar dhe izoluar njerëzit e ndershëm nga politika dhe aktiviteti social e publik.

Prandaj. “honestevivere, alterum non laedere, suumcuiquetribuere”.

Jeto me nder,mos i bëj dëm të tjerëve,merr atë që të takon. Mos e vjedh e shkatërro shtëpinë, për të cilën është derdhur gjak,sakrificë,dinjitet, pra shtetin tënd.

Duke e mbyllur këtë shkrim, nuk e di pse m’u kujtuan vargjet e fundit të“ Poemës së mjerimit” të Migjenit të madh, kur thotë:

“ Këtë mjerim nuk mund ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button