Një fakultet për sallata

Një ndër shkrimtarët më të shquar të të gjitha kohëve, autori i veprës së famshme, Don Kishoti, Servantesi, ndër të tjera ka thënë: “Ata që luajnë me macen, duhet të presin që edhe të gërvishten”. Kjo thënie që në fakt është një margaritar i vërtetë, fare nuk do t’i konvenonte disa konjukturave të shoqërisë shqiptare, të cilat kanë qejf të luajnë me zjarrin dhe të mos digjen, të hanë hudhra e t’u mos u vije era, siç do të kishin qejf të luajnë me macet, por të mos gërvishten aspak. “Margaritarë” alla shqiptare mund të hasësh në çdo hap, ngado që të shkosh apo ngado që të sillesh. Një të tillë së fundi e lexova në një medium, e që kishte të bënte me një konkurs për punësim. Në të vërtetë, një kompani (shqiptare) që do të hapë një restorant, ndër të tjera kërkon edhe një PËRGATITËS TË SALLATAVE, i cili duhet të ketë të mbaruar arsim të lartë. Jo vetëm unë, por edhe Ju miqë të dashur, do të ishit kureshtarë të dini se mos vallë në ndonjërin nga fakultetet e shumta tona, ka edhe katedër për bërjen e sallatave. Dhe, kur jemi te sallatat, kujtoj se në këtë drejtim në çdo sferë ne jemi ekspertë të sallatave, e sidomos në atë të politikës. Aspak nuk gabojmë nëse themi se politika aktuale shqiptare këtu në Maqedoni (pse jo edhe gjithkund ku jetojnë shqiptarët), është bërë më shumë se një sallatë, të cilën fatkeqësisht e konsumojmë ditë e natë, ndonëse e dimë se që moti është bërë tepër bajate. Përgatitësit tanë të sallatave politike vështirë se do të mund t’i plotësonin kushtet e kërkuara në konkursin në fjalë, sepse, larg qoftë, jo që nuk kanë arsim të lartë, por sepse nuk do të dinë ta shkruajnë letër motivimin që, ndër të tjera, kërkohet në konkursin e kompanisë shqiptare. Dhe çka tash? Është mirë të luajmë pak me mace dhe ndoshta gërvishtemi, së paku për t’u vetëdijesuar, se bërja e sallatës nuk kërkon ndonjë filozofi të veçantë, por një zanat që kërkon mjeshtri, dashuri dhe vetëm pak kujdes që të mos e përgjakim ndonjë gisht dhe kaq, pavarësisht se sallatat tona politike jo njëherë përfundojnë me përgjakjen e popullatës, varësisht të nevojave të konjukturave politike. Në të kundërtën, do të vazhdojmë ta hamë sallatën bajate politike, të cilën në çdo çast na e përgatisin politik-bërësit tanë, të cilët përmendësh e kanë mësuar luftën e Don Kishotit me mullinjtë e erës. “Margaritarët” alla shqiptare nuk do të marrin fund, siç nuk do të marrin fund as luftërat don kishotiane të sallat-bërësve tanë politik…Ndaj, nevoja për një fakultet për sallata bëhet domosdoshmëri, sepse nuk do të jetë e largët koha kur në konkurs për përgatitës të sallatave si kusht do të kërkohet edhe masteri dhe doktoratura, pavarësisht faktit se nuk do të dinë ta shkruajnë letër-motivimin, edhe pse në xhep, si hajmali, e mbajnë vërtetimin e shkollës së kryer…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button