Tetovë, as dënimet nga 200 euro nuk i largojnë shitësit nga rruga

Në qytetin e Tetovës ka shumë shitës në rrugë, kjo nuk ndodh vetëm kur është ditë tregu, por kjo dukuri është çdo ditë, njofton Telegrafi.

Ata mund t’i gjesh në qendër të qytetit, në bulevarde, përreth tregut të gjelbër.

Ramiz Abduli, një shitës i cili veprimtarinë e tij e kryen në rrugë edhe pse nuk do të flasë shumë për punën e tij, ai thotë se “ne jemi të detyruar të shesim në rrugë, nuk kemi çka të bëjmë, kjo është puna e cila na mban gjallë”.

Por nga ana tjetër drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka, i cili menaxhon edhe me tregun e gjelbër në Tetovë thotë se ata tashmë kanë shumë tezga të lira në tregun e gjelbër dhe ata janë të hapur për të bashkëpunuar me shitësit të cilët duan të vendosen në këtë treg.

“Ne kemi rreth 80 deri në 100 tezga të lira në treg, për t’u ofruar shërbime sa më të mira, shitësve ne u kemi ofruar Wi-Fi falas si dhe e kemi në plan që ta afrojmë një kamion një ku shitësve të rinj do t’u ofrojmë gjashtë muaj falas tezgën nëse nënshkruajnë marrëveshjen, qëllimi është që edhe shitësit që janë në rrugë të kenë mundësi të shesin në një vend të përshtatshëm dhe të largohen nga hapësirat publike”, thotë drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka.

Nga ana tjetër shefi i inspektoratit komunal, Viktor Stojanovski, thotë se “në fillim të sezonës ne kemi dalë dhe kemi lëshuar paralajmërime, më pas me të njëjtit kemi pasur edhe takime me kryetaren e komunës, ku u kemi ofruar që ata të largohen nga rruga dhe të vendosen në tregun e gjelbër, ose të marrin tezga që i ofron komuna me një shumë simbolike, por ata të njëjtën nuk e pranuan. Në treg u ofroi kryetarja një vit pa pagesë, por të nijetit nuk deshën të vendosen”, thotë Stojanovski.

Ai shton se “deri më tani kemi mbi 50 lëndë, nga të cilët rreth 30 u kemi shqiptuar dënime me nga 50 euro dhe janë larguar, me ndryshimet ligjore për zënien e hapësirave publike, dënimet janë rritur dhe me ligjin e ri kemi dënuar 10 persona fizik me dënime nga 200 euro, ku një pjesë prej tyre janë dënuar edhe nga dy herë. Ne do të vazhdojmë me aksione të këtilla pasi mundësia jonë e vetme është kjo dhe nuk kemi ndonjë mënyrë tjetër për t’i larguar ata nga rruga”, thotë shefi i inspektoratit komunal pranë komunës së Tetovës, Viktor Stojanovski.

Hapësirat ku më shumë shitësit ilegal janë të pranishëm janë në ‘Çarshi të Epërme’, në rrugën për në ‘Kodrën e Diellit’, bulevardin ‘Iliria’ dhe tek tregu i gjelbër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button