Deputetët, me nismë ligjore për ta shpallur Vetëvendosjen të jashtëligjshme

Një grup i deputetëve të koalicionit qeveritar po bëhen gati për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese një rast të veçantë: Një kërkesë për ta nxjerrë të jashtëligjshme Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë si organizatë anti-kushtetuese, anti-demokratike dhe nxitëse të dhunës e urrejtjes.

Indeksonline mëson se kjo nismë që po pritet të ndërmerret prej disa deputetëve të koalicionit qeveritar, përfshinë edhe kërkesën që çështja e nxjerrjes së Vetëvendosjes si lëvizje politike e kundërligjshme, të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venedikut, i cili do të mund të jepte opinionin e vet për përputhshmërinë me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Çështja e shpalljes së subjekteve politike si të kundërligjshme është shumë delikate, sepse gjithnjë ekziston frika se qeveria e ndërmerr këtë veprim për të eliminuar opozitën apo rivalët. Prandaj, në ato raste evropiane kur ka ndodhur ky akt, veprimi është ndërmarrë prej instancave neutrale, siç është Gjykata Kushtetuese, mbështetur në tre akuza kryesore: përpjekje për të rrëzuar demokracinë, përdorimi i dhunës për qëllime politike, promovimi i gjuhës së urrejtjes dhe racizmit, transmeton Indeksonline.

“Franca e ka shpallur si të jashtëligjshme partinë ekstreme Uniteti Radikal në vitin 2002. Spanja e ka shpallur të jashtëligjshme partinë nacionaliste baske Batasuna në vitin 2003. Pastaj, Hungaria i ka shpallur si të jashtëligjshëm nacionalistët ekstrem të Gardës Hungareze në 2013. Ukraina e ka shpallur partinë komuniste pro-ruse në vitin e kaluar, ndërsa së fundmi edhe në Greqi ka pasur zëra dhe nisma për ta shpallur të jashtëligjshëm Agimin e Artë”, thotë njëri prej deputetëve të pushtetit për Indeksonline, sipas të cilit shpallja e jashtëligjshme e subjekteve politike ka ndodhur edhe në të kaluarën, madje edhe Gjermania Perëndimore e kishte shpallur si të jashtëligjshme një parti të ekstremit të djathtë.

Duke parë rastet e shumta të shpalljes si të jashtëligjshme të partive politike në vendet anëtare, me këtë çështje është marrë gjerësisht edhe Këshilli i Evropës, i cili ka nxjerr edhe rezolutën e veçantë me numër 1308 në vitin 2002. “Në këtë rezolutë të miratuar prej asamblesë së Këshillit të Evropës është theksuar rëndësia që kanë pluralizmi, e drejta e fjalës dhe e drejta për t’u asociuar, por edhe janë përmendur rrethanat kur kjo masë radikale mund të merret në përputhje me kushtetutat e vendeve anëtare”, sqaron ky deputet për Indeksonline.

Ndërkohë, Komisioni i Venedikut, si organ tjetër i Këshillit të Evropës, ka hartuar dhe miratuar edhe një udhëzues për ndalimin dhe shkrirjen e partive politike dhe masat të tjera analoge, që i kushtohet pikërisht nismave të ndërmarra në vende të ndryshme për të ndaluar apo shpallur si të jashtëligjshme formacione të ndryshme politike që garojnë në zgjedhje.

Komisioni i Venedikut i krijuar në vitin 1990 përbëhet nga 60 vende anëtare dhe Kosova është anëtare me të drejta të plota prej qershorit të vitit 2014. Ky komision është organ këshillimor i Këshillit të Evropës, që jep rekomandime për shtetet anëtare të saj.

 

Ai i ndihmon shtetet që t’i bëjnë strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet dhe përvojën ndërkombëtare mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Ky komision do të mund të jepte një qëndrim të paanshëm për këtë çështje, gjë që do t’ia lehtësonte punën edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke ia larguar presionin politik. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button