Askush nuk reagon për ndotjen që bën “Jugohromi”, deputetët e zonës dhe ministri shfajësohen

Askush nuk bën asgjë për ta zgjidhur çështjen e fabrikës “Jugohrom” e cila ndot ambientin në rajonin e Pollogut. Fabrika punon pa filtra, kundër të gjithë standardeve ekologjike. Deputetët e zonës thonë që problemin duhet ta zgjidh ministria përkatëse, gjegjësisht ajo e ekologjisë, ndërkaq ministri thotë që këtë çështje duhet ta zgjidh Qeveria. Qeveria ende nuk diskuton për këtë temë. Është një rreth vicioz nga i cili më shumë pësojnë qytetarët, ata thithin ajrin kancerogjen, të cilin mes tjerash, e ndot edhe puna e papërgjegjshme e kësaj fabrike.

Deputetet e BDI-së hedhin topin te ministri. Deputetet e PDSH mbeten të pakapshme.

“Nuk jam kompetente për të dhënë deklaratë për këtë problematikë, jemi duke pritur qëndrimin zyrtar të ministrit. Ne si parti në pushtet i kemi organet më të larta dhe individualisht asgjë nuk bëjmë pasi krejt duhet të jetë në koordinim e sipër. Ne gjithë jemi pro më të mirës. Disa gjëra rëndojnë më shumë pasi ka rrethana, gjendje…” thotë për Telegrafin deputetja Mirsada Emini-Asani.

“Çështja e “Jugohromit” nuk është nën kompetencat e Kuvendit por është nën kompetencat e ministrisë. Nuk është se nuk është edhe shqetësimi i jonë dhe nuk është se nuk e diskutojmë por përveç se mund të flasim, nuk mund të bëjmë asgjë, që të ndërhymë aty. Edhe pse e dini qëndrimin e BDI-së dhe e ministrit. Ne e kemi mbështet ministrin dhe nuk mund ta bëjmë rolin e policit.’ thotë deputetja Nora Aliti.

Ndërkaq, ministri thotë që vetëm Qeveria ka kompetenca të veprojë në rastin e fabrikës.

“Ne si ministri e kemi dhënë mendimin tonë i cili vlen për të gjitha subjektet që nuk i kanë plotësuar kushtet. Mendimi është në Qeveri dhe pritet që të jetë në seancë qeveritare. Të gjitha kompanitë që nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara me ligj ndërsa iu është dhënë afat për të plotësuar, ne propozojmë të mbyllen deri sa nuk zgjidhet çështja e montimit të filtrave dhe pjesëve tjera përcjellëse. Qeveria i ka ingerencat t’a mbyll “Jugohromin”. Unë nuk kam mjete për ta mbyllur Jugohromin, unë e kam propozuar në qeveri që të mbyllet, e tash kryeministri duhet të vendos a do të mbyllet a jo.” thotë Izairi.

Arianit Xhaferi nga organizata ekologjike “Ecoguerilla” e cila vitin e kaluar organizoi protesta në Tetovë kundër ndotjes së ajrit thotë se deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë nuk janë parë të thonë asnjë fjalë në kuvend në lidhje me ndotjen e ajrit në Tetovë.

“Përpos të deputetes Meral Uzeiri-Ferati që ka reaguar një a dy herë në Kuvend. Me gjithë faktin që puna e “Jugohrom” është në kundërshtim Kushtetutën, Kodin Penal dhe me Konventën e Aarhusit, deputetët kanë mbyllur të dy sytë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Mosinteresimi i tyre për rastin ku helmohen mbi 200,000 banorë të Pollogut nga ne shihet si tradhti klasike, dhe njëherit dyshojmë që ministrat por dhe deputetët që nuk tregojnë interesim për këtë rast mund të jenë të përfshirë në ndonjë aferë korruptive. Nuk e kuptoj ku do gjejnë fytyrë deputetët aktualë për të dalë të kërkojnë vota nga elektorati që kanë lejuar t’u helmohet.” thotë Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button