A ka rrogë?!

Sot është e enjte, ditë pazari. E urrej këtë ditë sepse qytetin tim e shndërron në kaos ekonomik, në kaos tregtar, në kaos trafiku, në kaos mendimesh… Ditë e enjte  fundtetori, ditë zemërimi, ngashërimi, turpi, ditë frike e pasigurie. Një paradite e pazakontë mbretëron në horizontin tim. Jam në shkollë duke zhvilluar procesin mësimor, ndërkaq jashtë bie shi, bie me rrëmbim, i shoqëruar me mjegulla të dendura! Atmosferë e zymtë, gjithandej, por rrezet e shpresës nganjëherë më rrëqethin trupin. Janë pikërisht nxënësit që, me hijeshinë e tyre të veçantë, me qëndrimin e çiltër, me kureshtjen e tepruar, me forcën e ndjenjave dhe me gjallërinë rinore, më detyrojnë që të mos dorëzohem. Sapo marr guximin të them se jam falënderues për këtë „mision“, bie zilja dhe me të dalë në korridor ballafaqohem me pamjet e vrenjtura të kolegëve dhe kolegeve. Njëri mu drejtua me pyetjen më të qarkullueshme në këto hapësira: Kanë lëshuar rrogë? Nuk e di, thash unë. Jo, jo ia priti tjetri nga prapa, tani sa u ktheva nga qyteti dhe, si duket, nuk ka nishane të mira. Po a tërë jetën do të jetojmë kështu, tha dikush tjetër i revoltuar. Jo, bre, ne i kemi fajet, ndërhyn i treti. Çka flet more, bërtiti një profesoreshë, duhet të reagojmë, të gjithë së bashku…  Dhe sërish, gjendje plogështie, mërzie, trishtimi, amullie. Kjo gjendje mbretëroi për ca çaste edhe në zyrën e arsimtarëve…

A ka rrogë? – pyet një koleg i moshuar, duke e lëvizur shikimin kureshtar mbi fytyrat e të gjithëve! Ishte ky një zë prekës që na zgjoi nga ngrysja. U dëgjuan disa zëra të menjëhershëm: Nuk ka! Plasën edhe zëra të tjerë. Bëhet fjalë për rrogën e shtatorit, ia priti dikush i indinjuar. Ka një javë që ka kaluar data 15 dhe tre javë nga data – 1 tetor, shpërtheu tjetra. Le të mos na japin hiç, sepse edhe ato që i marrim, nuk kanë asnjë vlerë, bërtiti një profesor i hidhëruar…

E pyeta veten: Vallë çka është puna me këtë rrogë? Pse po vonohet? Zilja cingëroi për të shkuar në orë. Profesorët nxitonin për të marrë ditarët. Duke ecur korridorit për në klasë, sërish dëgjohet një zë, zëri i një kolegeje: A mos kishte rrogë? Jo, u përgjigj dikush! Tërthorazi u dëgjua një zë tjetër! E pra, nuk shkojmë në orë! Fillova të mendoj se, mos vallë është bërë ndonjë gabim në përllogaritje. Dikush sërish fajet ia hedh ministrisë së arsimit, dikush e akuzon komunën, dikush shtetin, dikush pushtetin, dikush miletin…!

Futem në klasë. Pasi e shënoj orën i afrohem dritares dhe vërej se shiu vazhdon të bie me rrëmbim. Kthehem nga nxënësit, i shikoj fytyrat e tyre të çiltra, të pafajshme,  ndërsa i pashpresë mundohem ta zbulojë ardhmërinë e tyre. Derisa po e zhvilloj njësinë e re mësimore, në kokë më vërtiten vazhdimisht pyetjet e kolegëve për fenomenin – rrogë!

Zilja cingëroi sërish! Filloi ora tjetër, prapë – zilja… mbaroi mësimi, mbaroi edhe një ditë, u shua edhe një shpresë, lindi edhe një hall, iku një çast, një rast, një mundësi, fitova një përvojë…

Duke dalë nga zyra e mësimdhënësve kumboi zëri i një kolegeje tjetër: Ej, vërtet nuk ka rrogë? Nuk e dëgjova përgjigjen! Më mbeti e fiksuar në kokë ajo pamja prekëse e koleges! Kishte të drejtë të ishte e tillë! Kishin të drejtë edhe të tjerët! Të nesërmen ishte festë, pastaj fundjavë, pastaj….! Kushedi se kur do të vinte rroga! Shumica i kishin bërë planet e veta! Disa kishin huazuar para, të bindur se përfundimisht do t‘i kthenin, disa ankoheshin se duhej të paguanin interes për kreditë e marra, ndërsa disa të tjerë për faturat e grumbulluara të rrymës, të ujit, të telefonit…!

Mendoja në vete se çfarë do të ndodhte, po të vonohej rroga në ndonjë shtet të perëndimit, madje vetëm edhe një orë?!  Shiu vazhdon të bjerë edhe më fuqishëm! Kjo natë, si duket, do të jetë shumë e vështirë për mua! Nuk e di pse?…

Dhe, vërtet, nuk bëra gjumë të mirë! Pash ëndrra të çuditshme: Në njërën anë politikanë me vetura të shtrenjta, funksionarë me shtëpi luksoze, ndonjëherë i shihja edhe luanët e Shkupit, pastaj qentë endacakë të Tetovës, ndonjëherë… ndërsa në anën tjetër më shfaqeshin zërat e ngjirur dhe pamjet e hidhëruara të kolegëve… Nata m’u duk e gjatë.

Të nesërmen kur u zgjova, isha i rraskapitur! Shiu kishte pushuar! Kishte pushuar edhe zhurma e kaosit të djeshëm, kishin pushuar edhe bisedat e zëshme të anëtarëve të familjes sime!

Po, kishin lëshuar rrogë!!!

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button