Letër mikut

…m’u bë qejfi kur ti pash fotot botuar në revistë!

Ka kohë që më dukesh disi më i rezervuar gjatë “momentit të shkrepjes”, kështu edhe fotot dalin më pak dhe janë më të mira.

Të përgëzoj!

S’është punë e vogël kjo.

Si te ne, si në botë, ka një lloj epidemie të fotografimit.

Shumë foto e pak fotografë.

…hala në punë jam ani se vonë, këtu punoj më mirë dhe më sistematikisht.

Laptopi tërë muajin “rregullohet” te mjeshtri, më duket do qëndrojë atje derisa të ulem për një punim shkencor që më ka mbetur peng prej kohësh.

Kur del nga diçka, çfarëdo qoftë kjo: një obligim, miqësi, emocion…kthimi lyp kohë me shumë se sa mbarëvajtja normale e tyre.

Do doja, për nevojat e këtij obligimi nga binarët e të cilit kam dalë që moti, t’ia mësyj pak më larg se kështu shkruhet më së miri.

P.sh të jetoj një muaj me qira në Manastir.

Më duket sikur e kam ëndërruar, por s’jam plotësisht e sigurt.

Disa nga ëndërrimet të tilla i kam: nuk e di as vetë, ëndrra kanë qenë apo dëshira të fuqishme!?

…ditën e fundit të konkursit për botime të Ministrisë së kulturës, dorëzova formularin minimalisht të plotësuar. E di se si punojnë Komisionet.

Libër me rrëfime, kësaj here me botues “Logos A“; e kënaqur jam me këtë vendim të beftë.

Sot duke ecur nëpër atë gjysëmshi më shkrepi se edhe “bilborde do bëjmë”.

Kjo do të kishte qenë reklamë për librin shqip, për botues Adnan efendiun (me këtë titull përherë më fanitet në mendje, qëkur e njoftova në fillet e punës si gazetare) dhe së fundi reklamë për firmën që do ta sponsorojë këtë aksion kulturor.

Bile-bile e saktësova në vete edhe sponsorin e mundshëm, por mos ti nxjerr tash “në gazetë” se quhet reklamim, apo? Dhe nuk ka shije kjo.

Kryesorja do bëhet, kismet.

Se s’ka si mos të bëhet nëse e ëndërrojmë apo fuqishëm dëshirojmë.

Më së miri është shumë e shumë mos flitet për planet, për dëshirat.

Se “dëgjon shejtani”, thotë një mik, dhe prishen planet pastaj.

Por, ja, nuk ndejna dot pa të shkruar sonte për botimin e ri dhe idetë e reja.

…për fund poeti im i preferuar; edhe pa ia përmendur emrin ti e din kush është.

Gjërat që nënkuptohen kanë vlerë specifike, por tjetër temë është kjo, për tjetër letër, në ndonjë mbrëmje tjetër me shi…

“…dhe ja tash librin këtë skelet fjale do t’ua jap

gjithçka tjetër do të mbetet në det shpirtëror Santiago

miku im i vjetër

miku im i ri

kokën që s’e çajmë

për dimensionin e humbur kohor

pavdekësinë…”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button