Informim apo dezorientim

(Realiteti politik i shqiptarëve të Maqedonisë në raport me kiç gazetarinë e këtushme dhe tendencat negative të saj)

Shqiptarët e Maqedonisë, këtyre ditëve, si kurrë më parë, po e jetojnë realitetin politik të këtij shteti, të deformuar skajshmërisht nga “gazetaria”dhe “gazetarë”, të cilët qasjet i kanë skajshmërisht komerciale e tejet sipërfaqësore, dhe rrjedhimisht mjaft joprofesionale, duke prodhuar shkrime të gjymta.

Siç lexova një shkrim këtyre ditëve edhe më me pak se 140 shkronja, i cili ishte pa asnjë përmbajtje, që do të reflektonte seriozisht si lajm, ose edhe si shkrim. Kjo qasje, në të shumtën e rasteve, realisht, prodhon vetëm trivialitet edhe atë trivialitet negativ, i cili po deformon realitetin politik dhe po e pengon, ose po e ngushton, hapësirën për të shprehur idetë ndryshe në shoqërinë e këtushme. Po, më e keqja e gjithë kësaj fushate ,marrëzisht të çmendur, është niveli dhe qasja me të cilin kundërshtohen përkrahës idesh të caktuara, ndër to herë ide kapitale e herë ide dhe projekte nga përditshmëria politike e shqiptarëve të këtushëm.

Kjo qasje, ose ky kiç gazetaresk, ka krijuar një publik të tijin, të cilin e ka infektuar me ide negative në një dozë tepër të lartë dhe të njëjtën, këta “gazetarë” ose kjo “gazetari”, shpeshherë e ka arritur, duke menaxhuar dhjetëra profile të ndryshme, përmes së cilëve i japin të drejtë dhe inkurajojnë veten, duke i komentuar dhe duke i promovuar vetë idetë e tyre të cekëta, bile shpeshherë shterpë e pa asnjë dobi për shoqërinë tonë dhe proceset politike nëpër të cilat po kalojmë.

Ato janë dobiprurëse vetëm për portalet e tyre fitimprurëse dhe asgjë më shumë. Dorën në zemër, përfitimet, shpeshherë vijnë jo vetëm nga klikimet, por edhe nga shërbime të caktuara, të cilat dinë t’i bëjnë këto përfitime tepër të majme dhe si të tilla ato pastaj janë shumë motivuese për këta “gazetarë” dhe këto “gazeta” ose portale. Këtë situatë goxha përmbledhtas do ta përshkruante një fjalë e urtë e cila thotë: “Atë që se mbulon logjika e mbulon paraja”.

Shembujt për qasjen e tyre joprofesionale dhe të papërgjegjshme janë të shumtë, që nga prodhimi i “lajmeve”, të cilët, shpeshherë koha i demanton tërësisht (ju kujtoj lajmin spekulativ nga ngjarjet e 9 dhe 10 majit, ku thuheshte se në Kumanovë u vra një familje e tërë, në mesin e tyre edhe një vajzë 8 vjeçare), deri te referencat e tyre të turpshme nga njerëz me bagazh kriminalistik dhe nacionalist e antishqiptar, siç janë promovimet e shumta që u bëheshin e po u bëhen, fatkeqësisht, statuteve e postimeve nga facebooku, të Bozhinovskit dhe Bogoevskit.

Aq sa mund t’i konsiderojmë joprofesionale këto referime nga kiç gazetaria e këtushme, po aq, në mos edhe më shumë, të njëjtit, mund të konsiderohen edhe çoroditës dhe tendenciozë, sepse njerëzit që janë burim i lajmit, kanë dëshmuar hapur, në të kaluarën dhe sot, me veprimet e tyre një disponim të theksuar antishqiptar dhe po të njëjtit kanë aktpadi të ngritura për veprimet e tyre kriminale. Ndërkohë që po këta njerëz, me këtë bagazh kriminalistik dhe nacionalist, mëtojnë të qajnë hallin për realitetin politik të shqiptarëve të këtushëm, e që në fakt tendenca e tyre ka qenë dhe mbetet dezorientimi i mendimit politik shqiptar dhe krijimi i një imazhi të shpërfytyruar të klasës së këtushme politike.

Kjo çmendi bëhet edhe më e rëndë kur sheh një pjesë të masës të ekzaltuar skajshmërisht deri në delirë me ta, e cila pos që dëshmon se vuan së tepërmi nga amnezia, ajo gjithashtu edhe sillet dhe vepron paturpësisht dhe papërgjegjshmërish, qoftë duke e pritur kryetarin e opozitës maqedonase, ashtu siç e priti, qoftë duke i kërkuar Bozhinovskit dhe Bogoevskit që të vazhdojnë me shpifjet dhe shantazhet e tyre, të cilat siç duket, të njëjtëve, u shërbejnë suksesshëm, në ëndrrat e tyre, për masturbim të përditshëm politik.

Përpjekja për të vënë në spikamë nivelin e kësaj “gazetarie” dhe këtyre “gazetarëve”, të cilët lënë mjaft për t’u dëshiruar, nuk nënkupton aspak që unë besoj se besueshmëria e tyre në masën e përgjithshme, pavarësisht të sjelljes së një pjese minore të kësaj mase, është e madhe. Përkundrazi, unë besoj së tepërmi në sensin intuitiv dhe pjekurinë e shqiptarëve të Maqedonisë, që çdo herë të rreshtohen në radhën e duhur, dhe të marrin me rezervë gjithçka që atyre u serviret. Megjithatë, përpjekjet kundrejt çdo fushate tendencioze, në raport me shoqërinë shqiptare, në përgjithësi e posaçërisht fushatat tendencioze që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë, të cilët ndodhen në një fazë të rëndësishme të shtytjes përpara drejt avancimit të proceseve politike në të mirë të tyre dhe gjithë rajonit, nuk duhet të pushojnë, ashtu siç nuk duhet të pushojnë edhe kundrejt kësaj fushate, të cilën u përpoqëm ta trajtojmë, fillimisht në një dimension më të ngushtë, duke vënë në pah përpjekjet meskine për dezorientim të mendimit politik, shpërfytyrim të realitetit politik dhe klasës së këtushme politike, si dhe amullisë e panikut që po ndjellin ndër popullsinë e këtushme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button