Bibliotekat e shkollave në Kërçovë me mungesë të librave

Bibliotekat e shkollave shqipe në Kërçovë, nuk arrijnë të plotësojnë kërkesat e nxënësve për tituj të ri të librave.   Në bibliotekën e përbashkët të SHMK Drita dhe SHMK “Mirko Mileski.“ në Kërçovë ka gjithsej 330 tituj librash në gjuhën shqipe nga  gjithsej 2025 libra.

“Kemi gjithsej 477 nxënës shqiptar të regjistruar si lexues te rregullt. Ky numër do të ishte akoma më i madh sikur të mos kishim mungesë të titujve të ri ose të librave. Ka shumë nxënës që interesohen për libra të cilët nuk i kemi. Librat janë kryesisht të autorëve që përfshihen në programin mësimor të gjimnazit kurse më të lexuarit janë librat e Ismail Kadaresë dhe Zonja Bavari.” – thotë puonjësja në bibliotekën e  gjimnazit të Kërçovës, Lumnie Jonuzi. 

E njëjta situatë është edhe në Shkollën Fillore “Rexhë Rushit Zajazi” ku ka rreth 150 tituj dhe gjithsej 1600 libra në gjuhën shqipe. 

“Këto librat janë kryesisht për fëmijë. Nga Ministria nuk kemi ndonjë ndihmë konkrete për ta pasuruar bibliotekën sipas nevojave që ka shkolla, përpos ndihmës që ka ardhur nga disa shtëpi botuese me kërkesë të vetë shkollës ose komunës,  ku do të cekja shtëpinë botuese Logos A. Shkolla në vazhdimësi bën kërkesa për tituj të ri që do t’i përmbushin nevojat e nxënësve.” – thotë Naile Ahmeti, bibliotekiste e shkollës. 
Në bibliotekën e shkollës “Milto Gurra” të fshatit Garanë, ka një numër të madh të titujve por që kryesisht janë lektyra për fëmijë. Ky numër është rreth 1600 tituj në gjuhën shqipe dhe gjithsej 5472 libra.

“Tani presim një donacion prej rreth 100 librash kurse kemi mungesë të madhe të lektyrave për klasën e parë nëntëvjeçare dhe të librave të rinj në përgjithësi.” – u shpreh bibliotekisti i kësaj shkolle. 

“Nuk kemi ndonjë donacion nga Ministria e Arsimit. Kemi rreth 2700 tituj për fëmijë dhe 100libra shkencor.” – thotë drejtori i shkollës “Faik Konica”, Zija Lutfiu.
Gjendja është e përafërt në të gjitha shkollat tjera fillore të rrethit të Kërçovës të cilat janë të pajisura vetëm me literaturë për fëmijë duke pasur mungesë të librave për gjeneratat më të mëdha dhe të librave shkencor me të cilët do të mund të shërbeheshin edhe mësimdhënësit.

Lajme të ngjashme

Back to top button