Maqedoni, nuk ka marrëveshje mes liderëve, Han i dëshpëruar (VIDEO)

Pas bisedimeve maratonike prej 12 orëve, bisedimet edhe mbrëmë dështuan. Partitë politike nuk kanë arritur thuajse të merren vesh për asnjë nga çështjet e hapura. Sipas raportimit të mediave në vend ata me tepër kanë folur mbrëmë për ligjin e “bombave”, më pas për Kodin Zgjedhor, megjithatë pa rezultat, njofton Portalb.

Eurokomesari Johanes Han ka shkuar i dëshpëruar nga Shkupi, pasi që pa sukses kanë mbaruar bisedimet e mbrëmshme ndërmjet katër partive.

“I dëshpëruar jam. Kjo ishte ditë e keqe, por ende jam optimist. Krerët e partive, duhet ta kuptojnë situatën serioze dhe të tregojnë se janë liderë. Nuk mundet Evropa të sjellë vendime për liderët e Maqedonisë”, ka thënë Johanes Han dhe e ka lëshuar rezidencën e BE-së në Përzhino. Ai ka paralajmëruar se ky debakël i bisedimeve mund të ndikojë në eurointegrimet e Maqedonisë, duke pasur parasysh se këto javë pritet të publikohet raporti për progres dhe pas kësaj është në pikpyetje se a do të ketë rekomandim për bisedime me BE-në.

Bisedimet maratonike mbaruan rreth orës 4 të mëngjesit, diku nga mesnata të parët kanë shkuar krerët e partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, ndërkaq Johanes Han pastaj ka biseduar vetëm me krerët e partive maqedonase LSDM-së, Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, njofton Portalb.

Pasi që ka qenë e qartë se nuk do të arrihet marrëveshje, atëherë nga rezidenca ka dalë Zaev i cili ka thënë që nuk e ka të qartë se përse prej 12 orëve bisedime, shumica e atyre orëve janë harxhuar për ligjin e “bombave”, por për atë nuk janë të humbura bisedimet, pasi që ka edhe nga 20 orë deri sa të kalojë afati për t’u votuar ekipi i plotë i prokurores speciale Katica Janeva.

Pas bisedimeve të pasuksesshme Gruevski s’ka dhënë deklaratë, por gazetarëve u është drejtuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski. Sipas tij, marrëveshje nuk është arritur, por ka afrim të qëndrimeve, veçmas për Kodin Zgjedhor, madje ai që nga sot mund të sjellet në Parlament. Dimovski ka thënë që më së shumti mosmarrëveshje ka pasur rreth publikimit të “bombave”, dhe kompetencat e zëvendësministrave, pasi që ato nuk janë në Kushtetutë.

Sipas deklaratave të të gjithë përfaqësuesve, të cilët pa sukses i kanë mbaruar bisedimet, sipas të gjitha gjasave partitë politike do të vazhdojnë me bisedime edhe sot,  por eurokomesari Johanes Han ka thënë që, tanimë nuk ka kurrfarë afati, vetëm pret që të respektohet gjithçka nga Marrëveshja e Përzhinos, njofton Portalb.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button