Të menduarit grupor, një fenomen i rrezikshëm për kombin shqiptarë

Të menduarit grupor është një fenomen psikologjik që ndodh mbrenda një grupi ku dëshira për harmoni ose konformitet mbrenda grupit rezulton në një vendimarrje iracionale dhe jofunksionale. Të menduarit grupor ndodh kur një grup sjell vendime të gabueshme sepse presioni grupor sjell një përkeqësim të efikasitetit mental dhe gjykimit moral. Ky grup është kryesisht në rrezik ndaj të menduarit grupor kur anëtarët e grupit izolohen nga opinionet e jashtme, dhe kur nuk ekzistojnë rregulla të qarta për vendimarrje. Këta anëtarë të grupit tentojn të minimizojn konfliktin dhe arrijn vendim konsensual pa evaluim kritik të qëndrimeve alternative, duke ndaluar aktivisht qëndrimet disidente.

Lojaliteti ndaj grupit kërkon nga individët që të largohen nga tema kontroverze ose solucione alternative, dhe këtu kemi humbje të kreativitetit, unikalitetit dhe të menduarit të pavarur individual. Dinamika grupore jofunksionale mbrenda grupit prodhon një iluzion të paprekshmërisë, një siguri e fryrë se vendimi i duhur është marrë. Prandaj, ky grup i mbrendshëm në mënyrë të konsiderueshme i mbivlerëson aftësitë e veta në vendimarrje, dhe në mënyrë identike i nënvlerëson aftësitë e kundërshtarëve ose grupit të jashtëm. Kur presionet për unanimitet duken të tepërta, anëtarët janë shumë pak të motivuar të çmojnë drejtimet alternative të veprimit. Në këtë drejtim atëherë, të menduarit grupor prodhon veprime jonjerëzore ndaj grupit të jashtëm edhe sikur ky grup të përbëhej prej njerëzve inteligjent që punojn sëbashku për të zgjidhur një problem.

Për të ilustruar më mirë pasojat e të menduarit grupor, psikologët kanë sjellë disa shembuj ku konsekuencat kanë qenë katastrofale jo vetëm për grupin, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Punonjësit shkencorë theksojnë se mosanticipimi i sulmit ndaj Pearl Harbor, ku flota ajrore japoneze shkaktoi shkatërrim me viktima të rënda, ishte si pasojë e të menduarit grupor ku e tërë administrata amerikane mendoi se japonezët nuk kanë një kapacitet të tillë. Psikologët kanë hulumtuar edhe një shembull tjetër të të menduarit grupor që njihet si rasti Limani i Derrave, ku administrata amerikane me në krye presidentin Xhon Kenedi bëjnë një tentim të dështuar të invazionit tokësorë ndaj Kubës. Punonjësit shkencorë përmendin edhe shembuj tjerrë eklatant të të menduarit gruporë si eskalimi i luftës së Vietnamit, rasti i shpëtimit të pengmarrësve amerikan në Iran në kohën e presidentit amerikan Xhimi Karter, rasti i vendimit të njëanshëm për të sulmuar Irakun se kinse posedon armë të shkatërrimit masiv nga ana e administratës amerikane me në krye presidentin Xhorxh Bush, dhe shumë shembuj tjerrë të kohërave më të reja të vendimarrjeve të ndryshme.

Nëse orvatemi të bëjmë një analizë praktike të konceptit të të menduarit grupor në rastin e kombit shqiptarë, sidomos popullit shqiptarë në Maqedoni, atëherë lirisht mund të themi se ky koncept ka dominuar në mendimet dhe vendimet e politikanëve, dhe partive të ndryshme politike, për një periudhë të gjatë kohore. Si shembull më eklatant i të menduarit grupor i kohëve të fundit është insistimi i tepruar i një politikani që thotë se shqiptarët nuk kanë nevojë për mendime ndryshe të të bërrit politik sepse kjo është në dëm të shqiptarëve. Sipas këtij politikani, të menduarit gruporë jo vetëm që nuk është i dëmshëm, por ky mendim grupor duhet vazhduar edhe më tutje sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sillen vendime meritore në emër të një popullate të tërë.

Nëse bazohemi në esencën e konceptit të të menduarit grupor, dhe ate që thonë studiues të ndryshëm botërorë, atëherë lirisht mund të themi se insistimi i eliminimit të grupeve që mendojnë ndryshe në lidhje me organizimin politik, është një nga dëmet më të mëdha që është bë në emër të kombit shqiptarë duke ofruar definicione artificiale në lidhje me suksesin e vendimeve të ndryshme që janë marrë në emër të popullit, për një periudhë të gjatë kohore. Gjendja aktuale e kombit shqiptarë në vend, nuk është asgjë tjetër përpos mbështetje enorme në të menduarit grupor, edhe pse një numër i konsiderueshëm politikanësh e kanë vështirë ta pranojnë këtë realitet të hidhur. Kjo gjendje e rëndë e zhvillimit të kombit shqiptarë në vend, si asnjëherë më parë, kërkon largim të menjëhershëm nga të menduarit grupor sepse në të kundërtën, pasojat do të jenë shumë të rënda për kombin në përgjithësi.
Historia ka dëshmuar se të menduarit grupor është shumë i dëmshëm mbrenda një grupi të vogël, si puna e një partie politike, e të mos flasim për një grupacion shumë më të madh si puna e kombit shqiptarë. Dëmi që të menduarit grupor ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë ndaj partisë politike në fjalë, është i pariparueshëm, por kjo është çështje e tyre e mbrendëshme dhe nuk meritojnë të thuhet diç më shumë. Le të jetë punë e tyre e mbrendëshme. Por, insistimi që këtë mendim të mbjellin edhe te grupi i jashtëm, apo te grupi që mendon ndryshe në lidhje me organizimin politik të kombit shqiptarë, është insistim iracional me pasoja të rënda për kombin shqiptarë në përgjithësi, dhe këtë e argumenton koncepti i të menduarit grupor. Është koha e fundit që këtij grupacioni ti thuhet mjaft keni menduar për tërë kombin shqiptarë. Kombi shqiptarë do të zhvillohet fuqishëm në atë moment kur do të largohet nga të menduarit grupor.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button