Mustafa: Dëshmi për politikat e kursimit dhe qeverisjen e mirë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim ekskluziv për Indeksonline ka thënë të shtunën se Ministritë përkatëse kanë prezantuar mundësinë që qeveria ka krijuar për rritjen e asistencës sociale për 25% për 26 mijë familje kosovare, si rezultat i qeverisjes së mirë dhe menaxhimit të mirë të buxhetit.

“Ky është vetëm njëri nga vendimet, pasi që edhe shumë të tjerë do të vijnë në të ardhmen, për të përmirësuar direkt kualitetin e jetës së njerëzve më në nevojë”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka thënë se qeveria që ai drejton është e vetëdijshme se kjo rritje nuk është e mjaftueshme, pasi që nevojat e këtyre familjeve janë më të mëdha, por është zotuar se nëpërmes qeverisjes së mirë, nxitjes së sektorit privat, skemave të punësimit brenda dhe jashtë vendit, por edhe ndërprerjes së keqpërdorimeve, do të shtohet kujdesi për këto familje.

“Qëllimi im si Kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe i Qeverisë që drejtoj, është fokusi, që luftimi i varfërisë të bëhet nëpërmes krijimit të vendeve të reja të punës. Edhe vendimi i sotëm tregon se një pjesë e familjeve janë larguar nga skemat sociale, sepse kanë gjetur vende pune dhe kanë mundësuar që fondet të shkojnë tek ata që kanë më shumë nevojë”, ka thënë kryeministri kosovar.

Sipas tij, punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve janë fundamenti i Programit Qeverisës, “nga i cili nuk do të shmangemi me asnjë çmim dhe asnjë kusht”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button