Komisari Han sërish do t’ua “ngreh” veshët politikanëve të Maqedonisë

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, të hënën do të vijë në Shkup. Vizitën e tij analistët për Portalb e kanë cilësuar si tendencë për shtypje nga ana e faktorit ndërkombëtarë, të cilët që në fillim u paraqitën si garantues potencial të marrëveshjes.

Tashmë kur marrëveshja është në rrugë qorre dhe ka thyer edhe afatet për tu dakorduar rreth disa çështjeve me rëndësi Han do të vijë një ditë para afatit kur duhet të zgjedhen ministrat e ri.

Njohësi i çështjeve politike, Suad Misini thekson se vizita e Han-it do të ndodhë për dy arsye.

“Njëra është se tanimë të gjithë e kanë të qartë se jemi në rrugë qorre sa i përket aplikimit të Marrëveshjes së Përzhinos. Brukseli tanimë e ka të qartë se të dy anët nuk duan të lëshojnë pe. VMRO-DPMNE ka më pak hapësirë me bë lëshime dhe si ec koha shohin se në fund duhet ta pranojnë atë që është e domosdoshme, për këtë arsye edhe gjatë gjithë kohës tentojnë të anulojnë. Këto anulime në Bruksel cilësohen si obstruksione e VMRO-DPMNE. Sidomos pjesa kriminale e VMRO-DPMNE-së”, tha për Portalb Misini.

Dhe arsyeja tjetër, thotë ai, është se Han duhet të vlerësojë deri ku janë bisedimet duke e pasur parasyh edhe Raportin vjetor të KE-së, i cili tani po vonohet.

“Raporti po vonohet sepse në plan ishte që të vendohet rekomandim, ndërkaq rekomandimin e lidhnin me aplikimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Kështu që ajo që mund të presim është shtypja e Hanit për të dy anët. Nëse anët nuk lëshojnë pe, sidomos krahu kriminel i VMRO-DPMNE, nuk do të kemi rekomandim. Vizita e tij do të jetë ose debllokim i marrëveshjes, ose do të kemi Raport negativ”, përfundon Misini.

Analisti Nazim Rashidi vlerëson se zgjidhja është e pamundshme pa presionin ndërkombëtarë. Sipas tij, edhe sikur mos të vije Han për presion, ai duhet lutur që ta bëjë këtë!

“Është më se e qartë se pa presion ndërkombëtar kriza nuk do të zgjidhet. Ishte iluzore, dhe besoj tani e kuptojnë të gjithë, sidomos ata që menduan se VMRO do të jetë konstruktive dhe se gjithçka do të tejkalohet me negociata. Por gjithashtu tashmë është e qartë se nëse presioni ndërkombëtar nuk është i fuqishëm, i bindshëm sërish zgjidhja do të jetë larg. Gjithë shenjat e deritanishme tregojnë se përgjegjshmëria nuk jeton në Maqedoni, kështu që ose do ta sjellin të huajt ose do vazhdojë teatri fallco. Nëse ndodh kjo e dyta nuk është me çështja se do të shohim një shfaqje të shëmtuar, por humbasim të gjithë”, tha për Portalb Rashidi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button