ITSHKSH me të reja shkencore për Shkupin ndërmjet dy luftërave botërore

Sot në Shkup, filloi punimet konferenca shkencore historike, e cila i kushtohet jetës shoqërore të shqiptarëve në Shkup dhe rrethinë ndërmjet dy luftërave botërore.

Konferencën e shpalli të hapur ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, i cili tha se ishte shumë e rëndësishme që të mbështetet kjo konferencë shkencore, me synimin që të dalin në pah edhe të vërteta të reja historike që do ta begatojnë mozaikun historigrafik për Shkupin.

“Shpresojmë që kjo të jetë edhe një bazë e mirë shkencore, për ta shkruar në mënyrë të saktë dhe korrekte, edhe këtë kapitull të historisë së shqiptarëve të Maqedonisë”, u shpreh ministri Ademi.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, tha se kjo është hera e parë që në mënyrë shkencore hulumtohet kjo periudhë e ndjeshme historike. “Instituti jonë po ngritet në një nivel të lakmueshëm shkencor, përmes bashkëpunimit me institutet simotra në Prishtinë, Tiranë, rajon e botë. Me këtë konferencë, studiuesit e shumtë do të zbardhin shumë dëshmi të reja, bazuar në të dhënat dokumentare e arkivore, të cilat për herë të parë do të publikohen dhe botohen në një edicion të veçantë të revistës Scupi”, tha Asani.

Fjalë përshëndetëse patën edhe drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, akademik Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Prof.dr.Sabit  Syla, dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prof.dr. Hysen Matoshi.

Pas hapjes solemne, në kuadër të këtij aktiviteti, u prezantua projekti: “Veshja popullore në rajonin e Karshiakës” nga Dr. Bukurije Mustafa, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.

Pasdite filluan punimet e konferencës shkencore, ku me punimet e tyre marrin pjesë 33 studiues të njohur nga shumë qendra shkencore të vendit dhe jashtë. Në sesionin e parë paraqiten me kumtesa këta studiues: Beqir Meta, Nebi Dervishi, Marenglen Verli, Daut Bislimi, Avzi Mustafa, Qerim Lita, Shinazi Memedi, Adnan Ismaili, Viktor Sopi, Naim Halimi, Metin Izeti, Nuridin Ahmeti, Skender Asani dhe Mehmet Prishtina. Kurse, në sesion e dytë gjatë ditës së enjte, paraqiten me kumtesa këta studiues: Qemal Murati, Zeqirija Ibrahimi, Albert Ramaj, Mixhait Pollozhani, Isamedin Azizi & Agron Saliu, Lidija Gjurovska & Gabriela Topuzovska, Fadil Curri, Natasha Didenko & Albert Hani, Izaim Murtezani, Skender Lutfiu, Sefer Tahiri, Sevdail Demiri, Besnik Emini, Ardian Limani, Naser Ramadani, Taxhedin Bislimi, Murtezan Idrizi, Islam Islami & Muhamed Ali, Afet Jashari dhe Rini Useini.

Të gjitha kumtesat e lexuara në këtë konferencë do të botohen në një edicion të veçantë të revistës “Scupi”.

Ndryshe, brenda këtij viti, ITSHKSH organizoi edhe konferencën ndërkombëtare “Shqiptarët dhe sllavët” me Edkart Institutin nga Berlini, konferencën për Isa Boletinin nën organizimin e tre instituteve shqiptare Tiranë-Prishtinë-Shkup, me çka arriti që shkencërisht të etablohet si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button