Motivet e komenteve personale duhen shmangur nga lajmet

Teksti që po recensojmë është një koment i renditur në rubrikën e lajmeve me autor anonim. Siç mund të lexohet, teksti ka tentuar të paraqesë analizë të situatës shoqërore-politike në Maqedoni por duke u bazuar vetëm në bindjet e gazetarit.

Motivet e përçarjes së shqiptarëve në Maqedoni   ShqipmediaLinku deri te artikulli origjinal: Motivet e përçarjes së shqiptarëve në Maqedoni

Data dhe koha e publikimit: 08/10/2015

Data e recensionit: 09/10/2015

Recensues: Ferikan Iljazi

Autori drejton akuza deri te subjektet politike maqedonase, gjegjësisht, partia opozitare LSDM, duke i cilësuar si ata që dëshirojnë përçarjen e votës dhe asimilimin e shqiptarëve me “metodën” për “bratstvo-edinstvo” por mbështetjen për këto pohime nuk e ka vënë në dukje askund në tekst.

“Përçarja e votës shqiptare duket se është një agjendë shumë e dëshiruar e maqedonasve, jo vetëm nga VMRO-DPMNE, por edhe LSDM-ja. Kjo e fundit madje duke dashur ta kthejë kohën e “bratstvo-edinstvo-s”, në gjirin e saj ka rekrutuar disa shqipfolës, të cilët i ka ngritur madje deri në majat e partisë”

 Burimin e vetëm që e ka autori i tekstit janë “njohësit e mirë të rrethanave politike” të cilët janë fantom, veprim ky që lë hapësirë dyshimi për vërtetësinë. Asnjë emër i ndonjë analisti politik apo intelektuali i ndonjë fushe të caktuar nuk është paraqitur në shkrim edhe pse autori pohon se ka kontaktuar ato.

“Sipas njohësve të mirë të rrethanave politike, ky është edhe motivi bartës i qarqeve maqedonase, të cilës përmes përçarjes së organizimit të shëndoshë politik shqiptar, tentojnë të defaktorizojnë shqiptarët, dhe në këto zgjedhje të mundësojnë rrjedhje direkte të votave shqiptare në llogari të partive të mëdha maqedonase”

Autori shkon edhe më tej me gjeneralizime të pa faktuara duke pohuar se “disa analistë të LSDM-së” po zhvillojnë fushatë antishqiptare, gjë që mund të nxisë edhe tensione ndëretnike. Madje autori pohon se opozita maqedonase dëshiron të hakmerret ndaj UÇK-së. Por kur dihet se çfarë simbolizon kjo organizatë për shqiptarët, ky pohim mund të shkaktojë reagime në mesin e tyre.

Prandaj për të dhënë kësi lloj përkufizimesh duhet kontaktuar analistë të cilët njohin rrethanat politike she ata të citohen me emër dhe mbiemër e jo të lihet hapësirë për dyshim të vërtetësisë së lajmit. Ndonjëherë, varësisht nga specifika e lajmit, edhe kjo mund të mos mjaftojë për të folur mbi tema të tilla sensitive, prandaj gjithmonë duhet vendosur fotografi, citim ose video të cilat do të flisnin vetë, duke mos lënë gazetarin të luajë rolin e komentuesit të zhvillimeve sepse kjo nuk është detyra e tij.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button