Të dyshuarit për “Magjar Telekom” i pret gjykata në Maqedoni

Komisioni për letra me vlerë në SHBA ka ngritur aktakuzë në lidhje me dyshimet për aktivitetet jo-legale të biznesit nga Magjar Telekom, ndërkaq organet kompetente në Maqedoni po ngecin me procedurën e lëndës për aferën korruptive “Magjar Telekom”, njofton Portalb.

Për redaksinë tonë në lidhje me procedurat e mundshme nga institucionet tona kompetente për rastin Magjar Telekom është prononcuar njohësi i çështjeve juridike Osman Kadriu.

“Prokuroria shtetërore e ka në kompetencë edhe më parë kjo ka qenë nën kompetencë të Prokurorisë por për arsye të panjohura ata nuk e kanë zhvilluar procedurën. Por tash duhet të shihet si do të përfundon atje procedura, që pastaj të kemi të dhëna më të sakta”, u shpreh për Portalb Kadriu.

Edhe Sllagjana Taseva,  nga OJQ “Transparencë Maqedoni”, ka konfirmuar se rasti do të duhej të jetë lëndë e Prokurorisë publike qysh moti.

“Është punë e institucioneve tona, e Prokurorisë publike para së gjithash. nëse dikush akuzohet për dhënie mito, dikush do të duhej ta kishte pranuar. Deri më tani, autoritetet përkatëse do të duheshte të kërkojnë llogari nga ata që e kanë shkaktuar këtë dëm, për atë nuk mundet të mos thirren apo të mos dënohen ata të cilët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke përfshirë edhe prokurorin publik”, theksoi Taseva.

Në pyetjen e Portalb se ku dhe a do të gjykohen edhe në Maqedoni, ata që janë përfshirë në aferën Magjar Telekom Kadriu potencon se duhet që Prokuroria jonë të njoftohet me procesin atje dhe ndoshta ato do t’i dërgojnë materialet këtu ose në qoftë se ato nuk i dërgojnë prokuroria duhet t’i shqyrtojë opsionet.

“Kompetenca është e të dy shteteve për informim të ndërsjellët për këto vepra, që cilësohen si vepra të rënda, qëllimi është vijimi i procedurave të mëtutjeshme”, përfundon Kadriu.

Portalb ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Prokurorisë Publike, Elizabeta Nedanovska. Ajo ka sqaruar se është në vijim e sipër procedura- lënda për aferën Magjar Telekom.

Zotëri Bogoevski ka dhënë dëshmi, dhe tani vazhdon mëtutje procedura e Prokurorisë kompetente”, theksoi Nedanovska.

Për fajtorët-thotë ajo, çfarëdo vepër penale, të kryer në territorin e Republikës së Maqedonisë kompetente është Prokuroria publike.

“Nuk ekziston institucion tjetër që është përgjegjëse për ndjekjen e kryerësve të veprave penale. Në pajtim me ligjin institucioni bashkëpunon edhe me institucionet tjera relevante, si MPB-ja, Policia financiare dhe të tjera”, është shprehur Nedanovska, në pyetjen e Portalb se kush do t’i gjykon personat e përfshirë në aferën Magjar Telekom.

Afera Telekom përmendet edhe në materialet e përgjuara apo “bombat” e liderit të opozitës, Zoran Zaev, kështu që rastin mund ta merr në hetim prokurorja speciale Katica Janeva. Edhe pse, zëdhënësja e Prokurorisë Publike Nedanovska e mohon një gjë të këtillë.

“Në bazë të ligjit për Prokuroren speciale kësi kompetence prokuroria speciale nuk ka”, deklaroi për Portalb Nedanovska./Portalb

LEXO: Afera “Magjar Telekom”: fillimi i fundit, si u asgjësuan materialet për Maqedoninë

LEXO: “Magjar Telekom”: Prokurori i SHBA ngre padi në bazë të dëshmisë së Bogoevskit

Lajme të ngjashme

Back to top button