Historia prekëse e Ilirit nga Afganistani

I LIRË, fjalë që shumë popuj e kanë paguar me gjak, ndërsa sot e paguajnë me braktisjen e atdheut. Kështu ndodhi edhe me familjen e Ilirit, jo ndonjë shqiptari, por atij nga Afganistani.

Iliri lindi të premten, në një gjendje të jashtëzakonshme në Shkup, me ndihmën që familjes së tij ia dha sektori i femrës në Organizatën Humanitare “Merhamet”. Në shenjë respekti, prindërit dhe gjyshi i këtij engjëlli të vogël, vendosi që emrin ta zgjedhim ne, stafi i TV ERA dhe përfaqësuesit e O.K.H. “Merhamet”. Ceremonia e Emrit u bë në bazë të rregullave Islame.

Babai i Ilirit të sapolindur, Sait Kerim Alizehi, shpreh mirënjohje për ndihmën e dhënë dhe shpreson që një ditë të takohemi sërish me Ilirin e porsalindur.

“Fëmija jonë lindi shumë i shëndetshëm. Tani do të nisemi për në Serbi dhe prej atje ku të na dërgojnë valët e jetës. Emrin e kemi vendosur në bashkëpunim edhe me Juve. Dhe ju falënderojmë shumë që e keni vendosur këtë emër. Shumë më pëlqeu emri ILIR. Ky është një emër i vjetër historik i shqiptarëve. Për Ilirin, e lus Allahun që të bëjë një jetë sipas rregullave të Islamit. Iliri askënd nuk e harron, për shkak se as Shkupi nuk e harron Ilirin. Edhe ne nuk do t’u harrojmë Juve”, tha Sait Kerim Alizehi, babai i Ilirit, në deklaratën e tij për TV ERA, transmeton SHENJA.

Gjyshi i Ilirit, Seid Rahim Alizehi, tregoi se ka lënë tokën, bujqësinë dhe tregtinë. Pasuria momentale e tij mbeten vetëm familja, fëmijët.

“Me emrin ILIR të djalit tonë, shpresojmë se do të ketë paqe në shtetin tonë. Kur do të bëhet situata më mirë, shpresojmë se do të kthehemi në vendin tonë, por edhe presim në vizitë vajzat Kybrën dhe Nesrinin”, tha kryefamiljari Seid Rahim Alizehi.

Nesrin Xhaferi nga Organizata Kulturore-Humanitare “Merhamet”, tregon për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej nëna e Ilirit, por edhe për ndihmën e ofruar nga mjekët.

“U detyruam prej në Kumanovë, ta sjellim rastin në Gjinekologjinë në Shkup. Pasi që e bëri lindjen, pas rezultateve që i dha mjeku për fëmijën dhe të ëmën, u detyruam që ta sjellim në hotel këtu në Çarshi. Kemi pasur edhe ndihmë prej mjekëve”, tha Nesrin Xhaferi nga O.K.H. “MERHAMET”.

Familja e Ilirit mori rrugën nga Afganistani dhe përmes Irakut, Turqisë, Greqisë arriti në Shkup. Ai erdhi në jetë këtu, por nuk do të qëndrojë, sepse ëndrra e familjarëve të tij është Gjermania. Shpresojmë që pas disa vitesh, me Ilirin e rritur dhe të lumtur, të takohemi në vendlindjen e tij të LIRË.

Lajme të ngjashme

Back to top button