Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, të huajt do t’u ofrojnë zgjidhje: “merre ose lëre”

Nëse partitë politike nuk arrijnë që të arrijnë marrëveshje, atëherë bashkësia ndërkombëtare do t’u ofrojë zgjidhje të principit “merre ose lëre”.

Testim i disponimit të bashkësisë ndërkombëtare ose blerje kohe, janë disa nga komentet e analistëve për shtyrjen e afateve nga katër partitë politike për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos.

Prokuroren speciale, Katica Janeva, e kanë zgjedhur në mesnatë, para kalimit të afatit, nën trysni të fortë nga përfaqësuesit e huaj. Marrëveshja për Kodin Zgjedhor, sipas eurokomesarit Johanes Han, duheshe të ishte zgjidhur më 6 tetor, por afati është shtyrë pavarësisht nga trysnitë e të huajve.

Pushteti dhe opozita mes vete akuzohen për mosarritjen e marrëveshjes. Në këto kushte janë nxitur pyetjet se a do të ketë kohë për pikat tjera të marrëveshjes që të zbatohet plotësisht marrëveshja në afatet e caktuara. Komisioni Evropian e ka anuluar publikimin e raportit për progresin e Maqedonisë, ndërkaq zëvendëskryeministri për Eurointegrime Fatmir Besimi, në intervistën e përjavshme të Radio Evropës së Lirë, ka thënë që për zbatimin e marrëveshjes varet se Maqedonia a do të ketë edhe sivjet rekomandim për bisedime në BE.

Profesori universitar, Mersel Bilalli, vlerëson se ndërmjetësuesit e huaj e kanë të rëndë që të dalin në krye me politikanët e Maqedonisë.

“Qëllimi i kësaj strukture është që ta minojë tërë procesin, kur bëhet fjalë për marrëveshjen, edhe unë mendoj se ata qëndrojnë që ta masin pulsin e bashkësisë ndërkombëtare me shtyerjen e afateve, që të shikojnë se cili është reagimi i tyre. Nëse është i ashpër, atëherë shpejtë do të arrijnë marrëveshje, por nëse nuk është, të mundin të fitojnë kohë ose eventualisht ta minojnë tërë procesin në të ardhmen”, thotë Bilalli.

Politikologu, Mitko Gaxhovski, thotë që edhe pse afatet janë prolonguar, marrëveshja do të zbatohet në kohë, jo për shkak që partive maqedonase, por për shkak të përfaqësuesve ndërkombëtar. Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, bashkësia ndërkombëtare do t’u japë zgjidhje të principit “merre ose lërë”, thotë ai.

“Edhe pse afatet shtyhen, prapë ja shohim, se në fund do të ketë zgjidhje të gatshme të cilat sipas të gjitha gjasave nuk do t’u përgjigjen të dy palëve të bisedimeve, megjithatë për të pasur sukses që të realizohet ajo e cila është nënshkruar, patjetër do të duhet që të zhvillohet në atë mënyrë, gjegjësisht me marrëveshje të gatshme të cilat më parë do t’u dorëzohen partive politike”, thotë Gaxhovski.

Pengesa kryesore për të arritur marrëveshje për Kodin Zgjedhor është votimi i diasporës, njofton REL.

Lajme të ngjashme

Back to top button