Bilall Kasami ngushëllon ambasadorin e Turqisë në Maqedoni

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami nëpërmes një letre ka ngushëlluar ambasadorin turk Ömür Şölendil për tragjedinë e ndodhur dje në Ankara të Turqisë.

“Më lejoni që përmes kësaj letre t’Ju drejtohem Juve, ndërsa përmes Jush edhe shtetit të cilin Ju e përfaqësoni – Republikës së Turqisë, që t’ju shpreh ngushëllimet e mia personale dhe të Lëvizjes BESA pas aktit të djeshëm terrorist në Ankara, ku mbetën të vrarë dhe të lënduar shumë njerëz të pafajshëm”, thuhet në letër.

Kasami ka shkruar se veprimet e këtilla qyqare janë edhe një dëshmi se, përkundër dashamirësisë që shfaq shteti turk për të ngritur ura bashkëpunimi edhe përtej Turqisë, përsëri gjenden forca të errëta, që mund të instrumentalizohen dhe të vihen në shërbim të djallit, për të marrë në qafë njerëz të pafajshëm dhe për të na treguar se beteja për paqe dhe mirëqenie, si edhe për beteja kundër këtyre forcave antinjerëzore, akoma nuk ka përfunduar.

“Ashtu siç kemi qenë gjithmonë dhe gjithkund në anën e atyre që e mbrojnë paqen dhe që e afirmojnë bashkëjetesën mes popujve, edhe sot bashkëvuajmë me të gjitha ato familje që humbën të dashurit e tyre, si edhe me popullin turk, që po përballet me sfidën më të ligë të kohës sonë – terrorizmin”, përfundon letra ngushëlluese.

Lajme të ngjashme

Back to top button