Fitorja në Elbasan

Në mbrëmjen e disfatës në terren dhe fitores jashtë terrenit mendova të bëj vetëm një sy gjumë, pas ditës së gjatë, dhe të dal për tifozllëk te Skenderbeu ynë i madh.

Ama…kisha fjetur si shutrake, krejt planet në ujë. Zgjohem pas orës 22. Lagja ushton nga grupi i të rinjëve dhe të rejave mbledhur rreth një ekrani të madh. Sa-sa? pyes prindët…haberin nuk e kanë…nuk arrijmë të gjindemi vetë me kanalet televizive, kurse i talentuari i familjes ndodhet në Elbasan.

Ndërkohë vjen fqinja për muhabet dhe ndarje impresionesh!? Me ne, më të painformuarit e mahallës! Sa-sa, e pyesim nga dera. Plaka, ende pa u ulur, brifon se është 0:0, se tanët mbaheshkan  mirë dhe kaq mjaftoka për të shkuar “ma larg”. Dal si me vrap, për të mos u vonuar në sheshin shqiptar. E marr në telefon vëllaun se, apo, gëzimi shtohet kur e ndan me tjetrin…Ai mezi flet, 1:0, thotë..

S’ka lezet të shkohet më larg, por dola se dola, vazhdoj tutje deri në punë…Në kafeterinë poshtë zyrave ndihen ethet e tifozllëkut, komentohet njëzëri, 2:0 thonë.

Kurse vetëm para 10 minutash isha nisur në Çarshi, për të festuar!

I shkruaj një miku që ndodhej në Arenë, ai përgjigjet në stilin e vet, gjithmonë në “Anën me diell të rrugës”. Raportimin qetësues pjesërisht ua citoj atë natë ca miqëve që i mendoj për tifozë të pasionuar edhe për ndeshje me temperaturë më të ulët se kjo me serbët:

“Ishim shumë larg një humbjeje të turpshme, luftuam mirë, ishim më të mirë. Nuk kishte budalliqe. Në tabelë jemi e mbetemi më mirë se serbët…” (këtë e ka shkruar për laiken si unë, mos zgjatem tash me meselen e Armenisë dhe matematikave tjera të mundshme. Në fund të mesazhit, konform natyrës së vet, ka shtuar “…Por inat shumë më vjen. Dhe gjynah për tifozët”.

Kthehet Barleti nga Elbasani, nga prizmi i një adoleshenti gjithçka ka qenë aq e bukur, përtej paramendimit të tij: edhe organizimi, edhe nuri i njerëzve, pritja e bukur, edhe pamja me plisat e bardhë, këngët dhe flamujt…

Në ditoren serbe “Politika” rubrikën kulturore të së cilës e ndjek rregullisht si një lloj specializimi nga gazetaria, lexoj komentimet sportive. Edhe aty profesionalizëm, kombinim me karar i lumturimit, objektivitetit dhe qasjes analitike. Mes tjerash, komplimente për nikoqirët, për masat efikase të sigurisë, për kulturën e Ramës “zotëri i rrallë, i shkëlqyer…” për “atmosferën fer dhe korrekte…pa eufori as nga tifozët as nga lojtarët”.

Kjo fitore, e kontribuar nga të gjithë, mbetet besoj më e rëndësishme se sa humbja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button