Kosova për nëntë muaj, dy njohje

Përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, thonë se janë duke punuar në disa drejtime që Kosova të ketë sa më shumë njohje të reja.
Zyrtarë të lartë në këtë ministri, theksojnë se angazhimi është i njëjtë si edhe më herët që Kosova të ketë sa më shumë njohje nga shtetet që deri më tash nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

Ardian Arifaj, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka ngadalësim të veprimeve që Kosova të ketë sa më shumë njohje.

“Ajo që është me rendësi të përmendet tani është se kemi një zgjerim të angazhimeve të Ministrisë së Jashtme të Kosovës për të siguruar edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, një anëtarësim që ndoshta është edhe më i rëndësishëm sesa njohjet bilaterale”, tha Arifja.

Zoti Arifaj tha se veprimet e fundit nga Ministria e Jashtme e Kosovës, kanë qenë më shumë të orientuara drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Statistikat janë njësoj sikur edhe në të kaluarat, prandaj nuk mund të themi se ka më pak njohje, kemi një ritëm të njëjtë të njohjeve. Ajo që është evidente është se shtetet që kanë dashur të njohin Kosovën e kanë bërë një gjë të tillë. Ajo që tash duhet të kërkohet me shumë angazhim, është që t’i takojmë të gjitha shtetet dhe t’ua kujtojmë nevojën për njohjen e Kosovës”, tha Arifaj.

Kosova në muajin maj të këtij viti është njohur nga Shteti Antigua dhe Barbuda që është një vend me dy ishuj që shtrihet në Detin e Karaibeve.

Kurse me 24 qershor, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova është njohur nga Niue që gjendet në Oqeanin Paqësor, transmeton Telegrafi.

Përfaqësues të opozitës në Kosovë, hedhin kritika të shumta në drejtim të institucioneve të Kosovës lidhur me politikën e jashtme dhe, siç thonë ata, numrin e vogël të njohjeve.

Shqipe Pantina, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, thekson se ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, më shumë është angazhuar për bisedime me Serbinë sesa për të rritur numrin e njohjeve për Kosovën.

“Ministri i Punëve të Jashtme shumë më shumë ka kaluar kohë jashtë vendit sesa në Kosovë, por jo duke u fokusuar në sjelljen e njohjeve të reja, por më shumë duke u angazhuar në çështjet të cilat i takojnë edhe kryeministrit, siç ishte për shembull rasti i bisedimeve me Serbinë në Bruksel për arritjen e marrëveshjeve përfshirë këtu edhe marrëveshjen për Zajednicën”, tha Pantina.

Zonja Pantina tha se Kosova nuk do të njihet nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur deri tash pavarësinë me angazhimin dhe punën që është duke e bërë aktualisht MPJ-ja.

Ajo konsideron se duhet punë shumë e madhe në ketë drejtim.

“Ministria në përgjithësi, jo vetëm ministri, duhet të angazhohen më shumë për njohje e jo për rehatimin e militantëve të vet politikë, siç ka ndodh edhe rasti i fundit me procesin e emërimit te ambasadorëve nëpër shtetet që tashmë na kanë njohur”, tha Pantina.

Kosova deri më tani, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, është njohur nga 111 shtete, që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008.

Nga radhët e Bashkimit Evropian janë 5 shtete anëtare, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Lajme të ngjashme

Back to top button