Qeveria egjiptiane mbështet sulmet ajrore të Rusisë në Siri

Qeveria egjiptiane njoftoi se mbështet sulmet ajrore të Rusisë në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm egjiptian, Samih Shukri në një deklaratë në televizionin El Arabija tha se: “Në kontaktet që kemi patur me Rusinë, është theksuar qëndrimi i qeverisë ruse në luftën kundër terrorizmit dhe në çështjen e masave për të parandaluar përhapjen e terrorizmit”.

Shukri duke pretenduar se operacioni i Rusisë në territorin e Sirisë është për të “bombarduar objektivat e DAESH” u shpreh se “operacionet do të ndihmojnë për ti dhënë fund dhe për të izoluar plotësisht terrorizmin”.

Qëndrimi i Egjiptit në lidhje me Sirinë theksohet se do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe me vendet e Gjirit. Kajro zyrtare e cila edhe në çështjen e Jemenit ndjek të njëjtën linjë ka mospërputhje me Rijadin edhe në çështjen e Asadit.

Të premten e kaluar Arabia Saudite, Turqia, SHBA, Franca, Britani, Gjermania dhe Katari në një deklaratë të përbashkët kishin kërkuar nga Rusia që “të ndalojë menjëherë bombardimin e opozitës siriane dhe të civilëve”.

Lajme të ngjashme

Back to top button