Kosovë, vendos Gjykata: Profesorët politikanë mund t’i marrin nga dy paga

Isa Mustafa, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Bekim Haxhiu janë vetëm disa nga dhjetëra bartës të funksioneve publike që, me vendimin e Gjykatës së Apelit, përveç pagës për funksionet që ushtrojnë, do të marrin edhe nga një gjysmë page prej Universitetit të Prishtinës, ku janë të angazhuar në procesin mësimor

Telegrafi mëson se duke filluar nga 12 tetori 2015, kryeministri Isa Mustafa do t’i merr përsëri 715 euro në muaj nga Universiteti i Prishtinës, nëse do të vazhdojë t’i mbajë 3 orë në javë në cilësinë e profesorit të rregullt.

Po për atë shumë do të shtohen të hyrat mujore edhe të ministrit Arsim Bajrami, po ashtu profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

Ministrat Avdullah Hoti, Haki Demolli dhe Hajredin Kuçi do të marrin nga 642 euro në muaj pasi kanë një gradë akademike më pak sesa kryeministri dhe ministri i arsimit.

Nga gjysmë page prej Universitetit të Prishtinës, në pajtim me gradat akademike që mbajnë, do të marrin edhe ministrat Hykmete Bajrami, Ferid Agani, zëvendësministri Ferat Shala, deputetët Bekim Haxhiu-Kamishi, Mytaher Haskuka, Vjosa Osmani, Besim Beqaj e Shpejtim Bulliqi.

Gjithashtu këtë privilegj do ta gëzojnë edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama dhe Bekim Sejdiu, pastaj kryetari i Komunës se Rahovecit, Idriz Vehapi, rektorët e universiteteve të tjera kosovare, Bajram Kosumi, Agron Bajraktari e Ramë Vataj.

Veç këtyre, në këtë “listë” do të jenë edhe drejtori i Postës se Kosovës, Sejdi Hoxha, menaxheri i postës në Pejë, Kushtrim Cukaj, kryeshefi i Agjencisë Kadastrale, Murat Meha, si dhe dhjetëra të tjerë që mbajnë poste të larta publike krahas punës në Universitetin e Prishtinës.

Më 12 tetor 2015, Universiteti i Prishtinës duhet ta zbatojë vendimin e Inspektoratit të Punës të dt. 15 janar 2015 për kthim në listë të pagave të bartësve të funksioneve publike, të cilët ishin larguar nga kjo listë me vendimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

Kjo pasi Gjykata e Apelit e hoqi masën e përkohshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën ishte pezulluar përkohësisht vendimi i Inspektoratit derisa të përfundojë kontesti gjyqësor në mes të Rektoratit të UP dhe Inspektoratit të Punës, transmeton Telegrafi.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button