Meta takohet me Berishën në pritjen e Kinës

Ilir Meta dhe Sali Berisha takohen sërish.

Kryetari i Parlamentit dhe deputeti demokrat, ishin mbrëmë së bashku në pritjen që shtroi ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë.

Siç shikoni në foto, Meta dhe Berisha janë takuar dhe kanë “çukitur” gotat” në pritjen zyrtare kineze. Si Meta ashtu dhe Berisha shfaqen plot buzagaz në këtë pritje dhe larg akuzave dhe debateve që shkëmbejnë ndaj njëri-tjetrit në sallën e Kuvendit.

E teksa ngrejnë gotat e shampanjës, nuk dihet ende se për kë e kanë ngritur dollinë dy politikanët, por zhvillimet e fundit nuk përjashtojnë një afrimitet të ri mes tyre. Aktualisht, Meta gjendet nën akuzat e opozitës për aferën ‘CEZ’ me qeverinë shqiptare dhe kompaninë DIA. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e tij me pretendimin se është i përfshirë në aferën që sipas saj DIA ka pasur me CEZ.

Më herët dje, z.Meta pasi takoi kryetarin e shtetit dhe kreun e PDIU, tha se “Kam pranuar kërkesën e zotit Berisha për hetim ndërkombëtar, ndërsa Basha ka kërkuar diçka tjetër, moshetim ndërkombëtar. Por me qetësi dhe dashuri mund te them se mua nuk me shqetëson asnjë lloj intrige. Nga origjina ime malore kam mësuar se nuk duhet të shqetësohem nga intrigat moçalore”. Kurse pak ditë më parë, z.Meta u pyet për faktin se kryetari i PD-së akuzon se dyshja Rama-Meta mbyllën çështjen 600 milionë euro për CEZ-in dhe u përgjigj kështu:

“Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare kryetari i PD-së, z. Basha nuk ka nevojë të jap edhe shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite, i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit, siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën, kërkon vetëm dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit. Dhe unë e kuptoj se kush është arsyeja e vërtetë: është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj, jo thjesht ndaj demokratëve në Parlament, por sidomos edhe ndaj liderit historik z. Berisha, duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufizim në tërësi, mendimet dhe qëndrimet e tij politike. Por nuk habitem me asgjë tjetër që thotë z. Basha, i cili prej dy vitesh qeverinë Rama e etiketon si qeveria Rama-Meta.

Madje nuk keni dëgjuar gjë akoma, sepse shumë shpejt do të fillojë të ndërrojë vendet, do të akuzojë qeverinë Meta-Rama dhe pak më vonë të jeni të bindur që do dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë “kriminale” Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama.

Ndërsa, për hetimin ndaj CEZ-it, absolutisht i qëndroj deklaratës time për hetim të plotë, të thellë dhe të shpejtë ndërkombëtar, shqiptar dhe parlamentar, në mënyrë që çdo qindarkë që është abuzuar, që është shpërdoruar nga zyrtarët nga qeveritarët, nga politikanët, nga administratorët shqiptarë, jo vetëm të shkojë në buxhetin e shtetit dhe të dëmshpërblehen qytetarët shqiptarë, por secili për çdo qindarkë që ka dëmtuar interesat e publikut, interesat e CEZ/OSHEE, interesat e shtetit shqiptar, të marrë dënimin e merituar. Dhe të ndiqet çdo qindarkë se si ka lëvizur, jo vetëm nga CEZ-i te DIA dhe nga DIA te kompanitë e tjera, jo vetëm 4 milionë eurot që ka përfituar DIA, por edhe 15 milionë eurot që kanë përfituar kompanitë e tjera pas uljes tjetër që i ka bërë ERE-s çmimit të energjisë për të favorizuar CEZ-in.

Të bëhet transparencë se te cilat kompani kanë shkuar këto para, cilët persona dhe zyrtarë kanë përfituar dhe si kanë ndërhyrë me veprimet e tyre apo se ç’përgjegjësi mbajnë me mosveprimet e tyre. Dhe njëkohësisht e theksoj rëndësinë për të hetuar gjithçka që ka të bëjë me CEZ-in nga dita e parë e realizimit të privatizimit, si u realizua ky privatizim e deri në ditën e sotme”.

Lajme të ngjashme

Back to top button